Java e kulturës hungareze u përmbyll mbrëmjen e së hënës në Durrës me një koncert simfonik të veprave të kompozitorit të famshëm Franz Liszt.
E ftuar speciale ishte pianistja Almira Emiri, një emër shumë i njohur në skenat ndërkombëtare, që përmes interpretimit të saj dhe orkestrës së drejtuar nga dirigjenti Oleg Arapi, sollën për artdashësit durrsakë disa nga pjesët më të bukura të Liszt. Ndalesa të tjera të këtij turi një javor ishin qytetet e Korçës, Pogradecit, Tiranës etj.
Marrëdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe Hungarisë, të krijuara shekuj më parë mes heronjve kombëtarë të dy vendeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janosh Huniadi, vazhdojnë të intensifikohen në ditët tona.
“Sot po festojmë jo vetëm javën e kulturës hungareze, por edhe miqësinë me popullin shqiptar. Ne nuk kemi vetëm një histori shumë të pasur mes dy vendeve tona, por edhe një lidhje të fortë miqësie. Vitin e ardhshëm, vendi im merr kryesinë e Bashkimit Evropian, dhe ndër prioritetet e presidencës hungareze është anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në BE”,- tha Adam Lovassy, ambasadori hungarez në Tiranë.
Publiku në sallë shijoi për rreth një orë me radhë disa prej kompozimeve më të njohura të Franz Liszt, i cili më mirë se kushdo tjetër diti të ndërthurë në veprat e tij muzikën klasike me atë popullore hungareze.
M.B.