Edicioni IX i Festivalit të Këngëve Korale për shkollat e ciklit 9-vjeçar të qytetit të Durrësit u përmbyll me fitoren e korit të shkollës “Migjeni”.
Në fazën finale, juria profesioniste vlerësoi këtë kor me kupën e festivalit, ndërkohë që çmimi i parë shkoi për shkollën “Bedrie Bebeziqi”.
Këtë vit, performancat e të gjitha koreve finaliste ishin shumë cilësore.
“Këtë vit kemi pasur performanca goxha të mira. Gjej rastin të falenderoj të gjithë mësuesit e muzikës në shkollat 9-vjeçare për angazhimin e tyre. Në përgjithësi, nxënësit e koreve kanë qenë të angazhuar për të sjellë para publikut performanca të arrira”,– tha Orges Mema, anëtar i jurisë.
Shumë emocionuese ishte hapja e finales së festivalit, ku të gjitha koret e 11 shkollave interpretuan himnin e flamurit.
Ky është viti i nëntë që Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës organizon këtë festival në kuadër të 14 nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit.
Serioziteti me të cilin të gjitha koret pjesëmarrëse ekzekutuan performancat e tyre vështirësoi jo pak punën e jurisë për të përzgjedhur më të mirët. Në përfundim, secila shkollë finaliste u nderua me çmime inkurajuese.
Të gjitha çmimet e festivalit:
Risia e festivalit – “Qemal Mici”
Atmosfera e festivalit – “Kushtrimi i lirisë”
Vlerësimi inkurajues: “Vasil Ziu” dhe “Isuf Ferra”
Çmime të treta: “Jusuf Puka”, “Nënë Tereza” dhe “Eneida”
Çmime të dyta: “Ibrahim Kodra” dhe “Mihal Ekonomi”
Çmimi i parë: “Bedrie Bebeziqi”
Kupa e festivalit: “Migjeni”
M.B.