Dylyftime të forta dhe shpirt gare. Edicioni i 4-rt i turneut të boksit “Titans fights 4” dhuroi për orë të tëra emocione pa fund në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”.


I konceptuar si një spektakël, ku u ndërthurën paradat e bukurosheve të Miss Globe dhe performancat artistike të këngëtarëve të njohur si Luiz Ejlli dhe Shkurte Fejza me ndeshjet e boksit dhe kikboksit profesionist turneu tregoi se qyteti bregdetar ka një numër të konsiderueshëm boksierësh të rinj, që premtojnë shumë për të ardhmen e këtij sporti.
“Besoj se kemi bërë një punë shumë të fortë për dy muaj. Siç shihet sot është i gjithë pallati i sportit i tejmbushur. Ne kemi dy objektiva sot, mbushjen e pallatit pasi lekët e biletave do të shkojnë për bamirësi për Shtëpinë e Foshnjes dhe disa familje në nevojë dhe fitoren e djemve tanë në përballjet direkte”,– tha trajneri i Titanëve, Enton Kikrri.

Durrësi këtë vit ka qenë kryeqendër e shumë eventeve sportive ndërkombëtare, si “Champions League” e shahut, turneu ndërkombëtar i peshëngritjes dhe së shpejti pritet të marrë një status të ri.
“Vitin tjetër do të kemi Vlorën si qyteti evropian i sportit, Shkodrën, por shumë shpejt do të kemi edhe Durrësin si qytetin mesdhetar të sportit”,– tha presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.

Zhvillimi për të katërtën herë i këtij turneu boksi në qytetin bregdetar flet për një vëmendje të shtuar institucionale ndaj këtij sporti burrëror.
“Durrësi ndër vite ka nxjerrë sportistë elitarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Aktiviteti i boksit është një vlerë e shtuar për qytetin tonë”,– tha nënkryetari i bashkisë Renis Mullaj.
“Është një performancë shumë e mirë e sportistëve shqiptarë dhe atyre amatorë me boksin profesionist. Sporti është ai që krijon këtë atmosferë magjike, siç e shihni sonte këtu. Ne si komitet olimpik kemi sjellë këtë ring olimpik në Durrës”,– tha Fidel Ylli.
Në fund të eventit, gjerdanin e turneut “Titans fights 4” e rrëmbeu boksieri i Teutës Ergys Toçi, që rezultoi fitimtar në kryendeshjen e mbrëmjes së të dielës.
M.B.





