Panairi i 26-te i librit nis këtë të mërkurë në Tiranë. 95 botues nga Shqipëria e Kosova marrin pjesë duke sjellë autorë shqiptarë e të huaj, emra të njohur e nobelistë.
Disa zhanre letrare dhe takime me autorë janë pjesë e programeve sikundër seminare me tematika të ndryshme. Kreu i shoqatës së Botuesve u ndal te letërsia për fëmijë.
“Ne e shohim librin si produkt artistik që ka elementin e tekstit dhe të ilustruesit që është i rëndësishëm për letërsinë për fëmijë, të ketë një ilustrim të bukur, domethënës që të bën të mendosh. Në letërsinë europiane autorit dhe ilustrues janë bashkautorë. A është shqiptar a sllovak autori, nuk ka rëndësi, ka rendësi cilësia”, tha Petrit Ymeri.
Librat në panair do të kenë një ulje nga 20 deri në 50% ndërsa në sallën ovale dhe në Sofanë e Librit mbahen biseda që prekin tema mbi përkthimin e problemet e librit. Sa i takon lexueshmërisë në vend, Ymeri përshëndet sondazhet që bëhen ndonëse shton se duhen parë grupet/kampionet që merren në shqyrtim. Ai vëren se për të shtuar interesin për librin, kanë rëndësi libraritë në shkolla e rrethe.
Kosto e panairit kapin shifrën e 200 mln lekëve të vjetra. Nga e mërkura në të diel, aktivitetet letrare me publik dhe nxënës shkollash, mbahen në Pallatin e Kongreseve në salla e në stenda.