Gjatë vizitës së ministrit të Shtetit të Greqisë, Stavros Papastavrou në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhej për t’u takuar me fituesin e zgjedhjeve lokale në Himarë, Fredi Beleri, pati një ndërprerje të energjisë elektrike për disa minuta.

Lidhur me rastin ka reaguar OSHEE, që në një njoftim për shtyp sqaron se ndërprerja e energjisë ka ndodhur pas një zjarri të rënë në një servis makinash në zonë.

“Në lidhje me stakimin e energjisë elektrike në institucionin IEVP Durrës është e nevojshme të sqarojmë se:

Për shkak të rënies së zjarrit në një subjekt privat (servis makinash), për të lejuar që zjarrfikësja të veprojë në vendngjarje, dhe për të evituar rrezikun e dëmtimit në njerëz dhe objekte, OSSH ka qenë e detyruar të stakojë energjinë elektrike në kabinën që furnizon zonën ku ushtron aktivitet edhe IEVP Durrës.
Për veprimet e nevojshme janë dashur jo më shumë se 5 minuta ndërprerje, deri në kthimin në skemë normale të furnizimit me energji elektrike për abonentët”,
– sqaron OSSH Durrës.