Terminali i Konteinerëve në portin e Durrësit rezulton me ecurinë më pozitive në 9 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke iu referuar raportit ekonomiko – financiar të Autoritetit Portual Durrës, në këtë terminal janë përpunuar 30% më shumë njësi konteinerike ose 21% më shumë mallra fizike se janar-shtatori i vitit 2022.
Sipas të njëjtit raport, në muajin shtator të këtij viti është regjistruar një tejkalim i realizimit të planit të të ardhurave me 12%, kjo si rezultat i rritjes së volumeve të përpunimit të konteinerëve dhe auto konteinerëve. Ndërkohë në periudhën 9-mujore kjo rritje është në masën 3%.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, të ardhurat për muajin shtator janë realizuar 21% më shumë, ndërsa për periudhën janar-shtator 2023 të ardhurat rezultojnë 6% më të larta.
243 anijet tregtare të akostuara në terminalet portuale kanë transportuar afro 2.7 milionë tonë mallra gjenerale, rifuxhio dhe me konteinerë.
Pozitive ka qënë ecuria për sektorin e udhëtarëve të cilët kanë zgjedhur transportin detar për të hyrë apo dalë nga vendi ynë, ku sipas të dhënave zyrtare janë regjistruar 700,250 pasagjerë ose 5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.