Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka komentuar humbjen e skuadrës së tij ndaj Vllaznisë, duke e cilësuar një sfidë të dobët për ekipin e tij.
“Normalisht kishim ngarkesë, fillimi i lojës sidomos ishte shumë i rëndë. Lojtarët hynë në fushë me shumë presion, deshën të fitonin medoemos ndeshjen.
Nuk arritëm të qarkullonim topin, ata fituan topin e parë dhe të dytë, sidomos në mesfushë. Ishim të paqartë në qarkullim, kishim frikë të mbanim topin.
Kishim raste në të dy pjesët, normalisht nuk meritonim të fitonim, por mund të barazonim ndeshjen. Ishte ndër ndeshjet ku nuk luajtëm ashtu siç duhet me topin.
E para ishte që fshiheshim, nuk merrnim topin në zonat boshe, kthenin shpinën dhe kishin frikë të shkonin në kontakt me topin. Ishim të paqartë, bëmë pasime gabim, në mesfushë edhe me pasime mbrapa.
I lëshuam hapësirën Vllaznisë, binim pre e presingut të lehtë të tyre. Pjesa e dytë ishte pak më ndryshe, nuk jam i kënaqur absolutisht me atë që treguam sot në fushë.
Gjatën sot e futëm, ishte më mirë se në ndeshjet e tjera. Ai ka pasur probleme, edhe ndeshjet me të rinjtë i ka lënë në mes për probleme me muskujt e barkut.
Sot tregoi se është më mirë, me paraqitjen që bëri sot, do të ketë më shumë minuta në ndeshjet e tjera.
Në jemi ekipi që kemi shënuar më pak gola, është problem i yni, nuk është problem vetëm i sulmuesve, por edhe mesfushës e të gjithëve. Na duhet një lojtar që të shënojë gol, kishim mundësi që të shënonim gol.
Ne e vuajmë pjesën e golit, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Daci krijoi volum, luajti, bëri volum në të dy fazat, por para portës… nuk duhet të jetë vetëm sulmuesi ai që shënon.
Por edhe mesfushorët, sot mund të ishim më altruistë në një rast në pjesën e parë.
Ka shumë gjëra për të korrigjuar dhe sulmi është një prej tyre. Në goditjet standarte po pësojmë gola, nuk jemi shumë të qartë, nuk kemi komunikim me njëri-tjetrin.
Por nuk duhet ta qajmë, kanë mbetur edhe pak javë që të japim maksimumin se këto jemi, duhet të shtrëngohemi shumë, të jemi të kujdesshëm sidomos në fazën mbrojtëse se pastaj kur pësojmë gol bëhet më e vështirë”, tha Martini në fund të sfidës.