“Mirush Kabashi, nderi i kombit, sot për mua është dhimbja e kombit!”

Kështu u shpreh miku dhe kolegu i tij Haxhi Rama për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Me një karrierë që shtrihet në disa dekada, me rreth 100 role në teatër dhe kinema, Kabashi ka arritur shumë në karrierën e tij artistike duke u vlerësuar me titujt më të rëndësishëm si “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

“Nderi i kombit” u nda nga jeta pak pas mesnatës, në moshën 75-vjeçare.

Për shumë vite me radhë, Kabashi ka qenë pjesë e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku kolegët e kujtojnë si një njeri shumë punëtor dhe mjaft të talentuar.

“Një herë kam punuar me Mirushin, ishte shkollë më vete. Ishte qen i punë i themi ne, në kuptimin i përpiktë në atë që donte, kishte lezet të punoje me të. Ishte kolos i artit”,– thotë aktori Muharrem Hoxha.

“Ai ka qenë ndër ata aktorë që punonte, punonte, punonte jashtë mase shumë. Edhe unë si aktor kam marrë prej tij pikërisht këtë gjë. Mirushin e gjeje në skenë një orë para se të nisnim provat”,- kujton kolegu i tij Xhelal Tafaj.

Me një njohje shumë të hershme, që nis që kur Mirush Kabashi ishte 5 vjeç,  regjisori Haxhi Rama ka shumë për të folur për të. Së bashku kanë vënë në skenë shumë pjesë teatrale, por suksesin më të padiskutuar e kanë korrur me pjesën “Kartela e verdhë” që është shfaqur mbi 400 herë në teatrot e gjithë Shqipërisë.

Ndërkohë, vlerësimi më i madh ndërkombëtar vjen për Kabashin në vitin 1997, në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, ku u vlerësua me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes 1000 aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës, me monologun “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. 

Ndërsa nis të flasë për aftësitë aktoriale të Kabashit, Haxhi Rama thekson disa si më kryesoret.

“Një aktor me cilësi të jashtëzakonshme. me ambicie profesionale fenomenale. me memorie te shkelqyer. vullnet dhe aktor që i kupton kërkesat e regjisë, e spektaklit dhe i realizon ato në mënyrë perfekte”.

Megjithëse i larguar prej vitesh nga Durrësi, për Kabashin lidhja me qytetin ku u rrit dhe u formua si artist ishte mjaft e fortë. Përveç teatrit, ai kishte një dashuri tjetër të madhe.

“Dashuria e tij për detin ishte e njohur nga të gjithë qytetarët e Durrësit. Mirushi bënte me not flutur distancën nga sektori Teuta në Iliria. Njëherë në Sarandë bëri një maratonë në det dhe më pas erdhi të jepte shfaqje”,– kujton Rama.

Ndarja nga jeta e Kabashit është humbja e dytë e madhe e teatrit “Aleksandër Moisiu” brenda një kohe të shkurtër. Pak muaj më parë, u nda nga jeta një tjetër yll i plejadës 70-vjeçare të këtij teatri, aktori i mirënjohur Lutfi Hoxha.

Gjatë ditës së sotme, të panumërta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit për mjeshtrin e skenës dhe interpretimit të poezisë shqipe Mirush Kabashi.  

M.B.