Strehimi i familjeve të mbetura të pastreha nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit 2019 në Durrës mbetet ende një problem që nuk ka marrë zgjidhje.
Me vendim të Këshillit Bashkiak janë miratuar për shembje 48 pallate, por vetëm 12 prej tyre janë rindërtuar në të njëjtin vend. Më “fatlumët” janë strehuar në shtëpitë e reja, por janë me qindra familje të tjera, të cilat nuk do t’u gëzohen godinave të reja të rindërtuara në po të njëjtin vend.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u miratua lista e përfituesve të pallatit nr.8 në rrugën “Stefan Dhima”, të cilët si shumë familje që do t’i pasojnë do të sistemohen në sitin e ri të pallateve që po ndërtohen në Spitallë.
“Komisioni Shtetëror i Rindërtimit nuk e ka të parashikuar rindërtimin në po të njëjtin trual të këtij objekti. Ne zbatojmë vendimet e KSHR-së dhe në akt normativ është i parashikuar që në momentin, kur nuk rindërtohen në po të njëjtin truall duhet të transferohen”,– tha gjatë mbledhjes nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi, duke iu përgjigjur interesimit të këshilltarëve të së djathtës.
Pavarësisht deklaratave të ripërsëritura gjatë vitit të parë pas tërmetit, se pallatet e shembura në Durrës do të rindërtohen në po të njëjtin vend, realiteti po tregon të kundërtën. Shumë banorë janë shprehur kundër këtij transferimi, por bashkia Durrës i referohet ligjit të rindërtimit për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi social.
“Qëllimi i ligjit të Rindërtimit është strehimi i familjeve që mbesin të pastreha. Në varësi të vendimeve me bazë ligjore në fuqi ne operojmë për strehimin e tyre në të njëjtin truall ose me transferim”,- deklaroi Kallmi.
Deri më tani në qytet janë shembur me shpërthim të kontrolluar apo me mjete të rënda 43 objekte, ndërsa 5 të tjerë presin Institutin e Ndërtimit të llogarisë koston e procesit, përpara sesa të kryhet ndërhyrja.
“Me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.22 është vendosur prishja e detyruar. Aktualisht, pas tentativave me IMTV-në, duke mos pasur mjetet dhe personelin e specializuar për prishjen e objektit, jemi konsultuar edhe me IKMT-në për prishjen e detyruar të tij, por duke qenë se ka shumë banesa ngjitur duhet evituar prishja e detyruar me shpërthim. Duhet bërë një prishje mekanike për të cilën i jemi drejtuar Institutit të Ndërtimit për hartimin e një projekt preventivi të prishjes mekanike të këtyre objekteve, që përbëjnë rrezik nëse prishen me shpërthim”,- tha nënkryetari i bashkisë.
Në zonën e re për zhvillim në Spitallë, për të cilën ende nuk ka një afat zyrtar për përfundimin e punimeve, po ndërtohen 996 apartamente.
“Aty do të akomodohen të gjitha familjet, pronare të apartamenteve në pallatet, të cilat nuk do të rindërtohen në të njëjtin truall, si dhe familjet, pronare të banesave individuale, të shpallur fitues për transferim në zonat e reja për zhvillim”, thotë bashkia Durrës, në përgjigjen e kërkesës me shkrim.
Ndërkohë në Durrës janë rreth 2500 familje të mbetura të pastreha, që nuk marrin bonusin e qirasë prej 8 muajsh.
M.B.





