Kur shkel në rrugët “Prokop Meksi”, “Isuf Ferra” dhe “Usta Rexhepi” duket se koha ka ndalur dhe investimet publike nuk ekzistojnë.
Gjendja e infrastrukturës rrugore i përngjet akseve të zonave të largëta dhe jo atyre brenda vijës së verdhë të qytetit. Për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve, këto rrugë dytësore janë kthyer në makth.

“Rruga është shqetësim i madh. Thanë që do ta rregullonin për votimet. Na gënjyen, nuk e rregulluan”.
“Eshtë zgjatur shumë rregullimi i kësaj rruge, duhen marrë masa nga ana e bashkisë”.
“Më keq nuk ka ku të shkojë. Rruga është copë – copë”,- thonë disa nga banorët e kësaj zone për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Në mumgesë të investimeve publike, të cilat mungojnë prej vitesh disa familje në rrugën “Usta Rexhepi” kanë gjetur vetë një zgjidhje.
“E kemi shtruar vetë këtë pjesën këtu, Futëm lekë 5 familje dhe e rregulluam. Por problem mbetet pjesa tjetër që kur bie shi bien gurë dhe është thuajse e pakalueshme për pleqtë dhe fëmijët”,- na thotë një pensionist.
Rruga në fjalë është pjesë pjesë e rregulluar dhe pjesë pjesë e amortizuar totalisht, sepse jo të gjitha familjet kanë pasur para për të hedhur beton në të.

Përveç rrugëve në gjendje të degraduar, ky komunitet banorësh, që i perket lagjes nr.8, vuan mungesën e ndriçimit publik. Pagues të rregullt të taksave, qytetarët kërkojnë që ato t’u kthehen në shërbime.
“Pa diskutim që mungesa e ndriçimit është shqetësim shumë i madh”,– deklaron një qytetar që vijon duke thënë se janë gati t’i blejnë vetë llampat, vetëm të vijnë t’i vënë në shtylla punonjësit e Ndërrmarrjes “Rruga”.
“Ke frikë të dalësh se rrëzohemi”,– thotë një e moshuar.
“Na duket vetja si të harruar se asgjë nuk kanë bërë për këtë lagje”,– shton një tjetër banore.
Për ta pasur përherë të ndriçuar rrugën pranë banesës së tyre nuk mungojnë edhe zgjidhjet “alla shqiptarçe”.

Pasi ka marrë lejen nga OSHEE, një qytetar e kontrollon vetë ndezjen dhe fikjen e ndriçimit publik në shtyllën që ka në derën e shtëpisë së tij.
Pak metra më larg këtyre rrugëve dytësore, në një tjetër aks diferenca bëhet menjëherë. Investimi i realizuar është cilësor dhe përmirëson jetesën e familjeve që banojnë aty. Në fund të këtij muaji pritet të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, prandaj banorët e kësaj lagjeje urojnë që bashkia të ketë planifikuar ndërhyrje në rrugë, për të përmbushur premtimet e dhëna në fushatën e fundit zgjedhore.
M.B.





