Është rikthyer vettingu në Policinë e Shtetit, kësaj here nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Subjekti i parë në seancë publike është drejtuesi i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj. Ky i fundit u kontrollua në 3 shtylla: pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure. Mësohet se pas analizës, ai është në konfirmuar në detyrën e tij.
Lidhur me këtë proces ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. “Procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të drejtuesve të Policisë. Për këtë qëllim do të vijojë vetingu i funksioneve drejtuese në Policinë e Shtetit si një mekanizëm i domosdoshëm vlerësimi, i cili rrit besueshmërinë e drejtuesve brenda organizatës, por edhe forcon besimin e qytetarëve. Përgëzime Trupave Vlerësuese dhe drejtuesve të AMP për punën voluminoze”, ka deklaruar Balla.
Kujtojmë se 3 ditë më parë u bënë dhe disa lëvizje në Policinë e Shtetit. Altin Lila, nga shefi i Komisariatit numër 3 në kryeqytet është emëruar në krye të Komisariatit numër 1. Në këtë të fundit ishte drejtues Petrit Hala, i cili tashmë është emëruar shef në Librazhd. Në komisariatin numër 3 është emëruar Bledar Reshka që ka qenë në krye të sektorit të vrasjeve në Elbasan. Sali Skura është emëruar në krye të komisariatit numër 4. Ndërsa Arben Caka do të jetë drejtor kufiri në Durrës.