Kur kanë kaluar 2 ditë nga zgjedhjet e kryetarit të Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve Durrës, polemikat vazhdojnë ende mes njerëzve të artit të kulturës në Durrës.
Pas dorëheqjes së parevokueshme të dhënë publikisht pas procesit të numërimit të votave, ish-nënkryetari dhe anëtari i kryesisë së lidhjes Vladimir Muça ka shpjeguar përmes një postimi në rrjetet sociale arsyet e vendimit të tij.
Muça denoncon një sërë parregullsish të ndodhura gjatë procesit të votimit.
“1-Votimi u ndal disa herë për arsye të rrëmujës që bënin “dashamirësit” e kandidatit Agron Çalliku.
2-U konstatuan votues që nuk ishin në listën e klubit të paisur me karta anëtarësie fallco 2-3 ditë para zgjedhjeve.
3-U ngulmuar nga anëtarë dhe kryetari i komisionit në nxjerrjen e fletëve votimi të pavlefëshme që ishin plotësisht të vlefshme.
4-Spallja e fituesit me 24 vota nga 61 votues duke lënë në minorancë 37 votues kur fituesi me 50 përqind +1 të paktën duhet të ketë 31 vota
5-Me këtë situatë votimi duhej kaluar në balotazh mes dy kandidatëve që kanë më shumë vota.”, shkruan Muça.
Njëkohësisht, shkrimtari Muça bën apel që zgjedhjet të anulohen dhe të zhvillohet balotazhi mes dy kandidatëve me numrin më të madh të votave.
Postimi i shkrimtarit durrsak është komentuar nga shumë anëtar të lidhjes, ndër të tjera edhe nga kandidati në garë Agim Bajrami. I renditur i dyti me vota pas Agron Çallikut, Bajrami deklaron se ndjehet akoma i terrorizuar nga skenat e asaj dite dhe deklaron dorëheqjen e parevokoeshme nga anëtarësia dhe kryesia e klubit.
Ndërkohë, shkrimtari tjetër durrsak Ardi Omeri shkruan se faji për situatën e sotme në të cilën ndodhet Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve është i të gjithë kastës së vjetër.
Në komentin e tij, ndër të tjera Omeri shkruan “E pra ne kete pike e çuat ju dhe kryesia qe keni drejtuar lidhjen e shkrimtareve dhe artisteve e tani ja keni borxh te gjitheve qe ta rimekembni duke nxjerre jashte keta njerez megallomane dhe anadollake.”