Një mbrëmje letrare e konceptuar shumë më ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim ishte prezantimi i librit me poezi “Përse mendohet një luledielli” e poetes Teuta Dhima.
Vendin e diskutimeve letrare të një paneli autorësh e kishin zënë shumë nga anëtarët e klubit të librit “Gjergj Vlashi”, të cilët, në harmoni të plotë me muzikën që i shoqëronte, interpretuan njëri pas tjetrit shumë nga poezitë e librit.
Me poezitë e saj mjaft të ndjera, Teuta Dhima i ka sjellë lexuesit shpirtin e gruaje, në të gjitha dimensionet e saj.
“Një luledielli fare mirë mund të jetë një grua që mendon, një gru që dashuron, një grua që herë pas here mund të ndihet e lënë pas dore, e braktisur, një grua që rrit fëmijët e saj, shijon prindërimin, një grua që shqetësohet. Dhe në fund të ditës, pasi i ka mbyllur të gjitha ajo fillon dhe mendon të kaluarën e saj”,– rrëfen poetja Dhima për “DurrësLajm”.
E ndërsa në titull ka vënë lulen e saj të preferuar, përmes çdo poezie në gjuhën shqipe apo atë italiane, Teuta përcjell copëza nga shpirti i saj.
“Asnjëherë poetja nuk mund të ndahet nga ajo që shkruan. Unë nuk di të them nëse jam këtu apo atje, por jam e ndërthurur në çdo varg, në çdo mendim. Më kanë frymëzuar gjëra që unë jo vetëm i kam jetuar vetë, por edhe i shikoj duke jetuar, duke punuar duke bashkëpunuar dhe me të tjerët. Por poetët kështu janë, të ndjeshëm, preken me pak, i emocionon edhe një fjalë, një ngjarje, një film apo dhe një pikturë e varur në mur. Gjithandej është Teuta, në çdo varg”.
Mbrëmja letrare e ideuar nga regjisorja e njohur Driada Dervishi erdhi mjaft ngrohtë për artdashësit e pranishëm në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Zëri brilant i sopranos Olta Juba i shtoi edhe më koloritin kësaj mbrëmje të ftohtë dhjetori, por të ngrohur nga interpretimet mjaft të ndjera të të gjithë anëtarëve të klubit “Gjergj Vlashi”, që megjithëse nuk janë aktorë përcollën tek publiku mjaft emocion.
M.B.