Këshilli i Ministrave ka dorëzuar të mërkurën në Kuvend aktivin normativ për ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2023, duke parashikuar shpërndarjen e 1 miliardë lekëve për kompensimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për diferencën e pagës në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo shumë është më pak se gjysma e shumës totale të përllogaritur nga ministria e Financave dhe shkon vetëm për 4 institucione të drejtësisë, përkatësish Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

“Ky akt normativ ofron përcaktimin e nevojshëm në nen për të autorizuar lëvrimin e fondeve brenda buxhetit 2023 të një pjese në masën 1 miliardë lekë të efektit total financiar të përllogaritur në nivelin 2.1 miliardë lekë,” përcakton akti normativ.

Sipas arsyetimit në akt, ndarja e fondit do të bëhet bazuar në përllogaritje të bërë nga Ministria e Drejtësisë me një efekt financiar prej 1. 68 miliardë lekë referuar katër institucioneve. Ndërkohë që efekti financiar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përfshin të gjithë institucionet e drejtësisë, që po ashtu kanë kërkuar nga Kuvendi që t’u njihet ky detyrim për punonjësit e tyre magjistratë.

Këto institucione po përballen me përmbarimin, pasi dhjetëra prokurorë e magjistratë kanë fituar gjyqet për përfitimin e kësaj shtese page.

Sipas vendimit të GJK bëhet fjalë për një shtesë prej 14 mijë lekësh të pagës për magjistratët që nga viti 2019 e në vijim, pasi Kuvendi kishte përllogaritur gabim pagën bazë të tyre në ligjin për “Statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”.

Akti normativ i qeverisë për rishpërndarjen e fondeve të buxhetit 2023 parashikon rishpërndarjen e një volumi prej rreth 20 miliardë lekësh te shpenzimeve te përgjithshme, që sipas arsyetimit të vendimit, – “mbulohet tërësisht nga fondet e lira te rezultuara pas vlerësimit te realizimit ne nivel 11-mujor te shpenzimeve te institucioneve buxhetore”.

Kursimet në buxhet kanë ardhur nga mosrealizimi i investimeve publike dhe mosplotësimi i vakancave në administratë.

Një pjesë e këtyre fondeve shkon si huadhënieje për AlbControl në masën 3 miliardë leke, që sipas aktit, është kërkuar për “rritjen e sigurisë ajrore” nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Njësitë e qeverisjes vendore po ashtu kanë përfituar nga kjo rishpërndarje fondesh në total një shumë prej 2 miliardë lekësh në formën e transfertës së pakushtëzuar e përgjithshme.

Por, në listën e bashkive nuk është përfshirë Bashkia Tiranë, e arsyetuar nga qeveria se “kjo bashki ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore”.

Pjesa tjetër e rishpërndarjes shkon për shpërblimin e administratës të angazhuar në procesin e negociatave për integrimin në BE dhe shtresat në nevojë./BIRN