Teuta po kalon një moment majft të vështirë. Durrsakët pas 17 javëve kampionat, ndodhen në vendin e fundit të tabelës së rënditjes me vetëm 16 pikë të grumbulluara. “Djemtë e Detit” nuk njohin fitore në 9 sfidat e fundit, teksa triumfi i fundit ka qenë në ndeshjen ndaj Dinamos me 22 tetor. Pikërisht ndeshjen e radhës, Teuta e ka ndaj dinamovitëve, ndaj të cilëve duhet të ‘luftojnë’ për 3 pikët. Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli flet për barazimin e fundit ndaj Erzenit, madje ‘fajin’ për situatën jo të mirë që po kalon ekipi i tij, ja lë fatit të keq. Kapiteni i “Djemve të Detit” thekson se do të synojnë vetëm fitoren në sfidën e ardhshme ndaj Dinamos, për të mos e mbyllur vitin në fundin e tabelës. “Mendoj që në ndeshjen ndaj Erzenit bëmë një ndeshje të mirë. Mund ta fitonim atë ndeshje. Erzeni krijoi rastet e veta, por mendoj që rastet e pastra i kishim ne.

Ishin 5 raste të tilla, por që asnjëra nuk shkoi në rrjetë. Është edhe fati i keq që na ka ndjekur. Tek Teuta tani problemi është më shumë psikologjik dhe siç e lartpërmenda fati i keq që kemi pësuar shumë gola në minutat e fundit. Kjo sjell dhe pasojën, që nuk kemi pikët e duhura. Por mendoj që është bërë një gabim që në fillim përsa i përket menaxhimit të skuadrës. Ndeshja e radhës? Sfida ndaj Dinamos luhet për fitore, për të mos e mbyllur vitin në vendin e fundit. Do të futemi në fushë vetëm për 3 pikët. Përsa i përket objektivave, mendoj që është ndeshja e radhës. T’i marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund të bëjmë llogaritë tona. Sigurisht që tani afër është merkato dhe presim të përforcojmë grupin”, është shprehur Kotobelli.