Në procesin ndaj Fredi Belerit, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjokës me pretendimin se janë treguar të njëanshëm ndaj tij.
Në seancën e sotme u paraqitën 5 dëshmitarë mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Ramës. Dëshmitarët e tjerë ishin banorë të Himarës, të cilët dhanë sqarime se kishin miqësi me Belerin dhe e takonin edhe për shkak të fushatës zgjedhore e disa si bashkëqytetarë të Himarës.
Avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokurorisë.
Trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë. Vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime.
“Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme per nje mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti te falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”– ka thënë Beleri në sallën e gjyqit.