Një shqiptar i burgosur për pastrim parash ka mundur në gjykatë Ministrinë e Brendshme angleze.
Sipas Daily Telegraph, Home Office kërkoi t’i hiqte shtetësinë britanike Gjelosh Kolicajt, 42 vjeç, me dy shtetësi dhe ta deportonte, pasi u burgos me 6 vite për akuzën e pastrimit të parave.
Ai akuzohet se fitoi 8 milion paund me pastrimin e parave nga Britania e Madhe që i sillte me avion duke përdorur pasaportën e tij britanike.
Ai u përshkrua nga Agjencia Kombëtare e Krimit se kishte një rol të rëndësishëm në një grup të krimit të organizuar në Britani dhe ishte person me rrezikshmëri të lartë. Por gjyqtarët e imigracionit, pranuan ankesën e tij kundër heqjes së shtetësisë dhe dëbimit të tij me arsyetimin se Home Office nuk mori parasysh të drejtat e tij të njeriut dhe pretendimet e tjera në vendimin e tyre.
Kolicaj fitoi shtetësinë e dyfishtë MB-Shqiptare në vitin 2009 pasi hyri në Britani dhe u martua me një grua britanike. Ai u divorcua nga ajo dhe u martua me një shqiptare në vitin 2013 me të cilën ka dy fëmijë. Të dy janë shtetas britanikë pasi kanë lindur në Britani. Gruaja e tij e re, një shtetase shqiptare, po kërkon leje të për të qëndruar në Britani.
Vendimi i gjykatës ka ngjallur reagime. “Kjo tregon pse ne kemi nevojë për reforma urgjente të sistemit të azilit dhe ligjeve të të drejtave të njeriut për të lejuar dëbimin e shpejtë dhe efektiv të kriminelëve të rrezikshëm,” tha një deputet i lartë i konservatorëve.
Kolicaj u dënua për pastrim parash në shkurt 2018 pas një hetimi nga autoritetet. Vendimi për t’i hequr nënshtetësinë u mor në janar 2021 pasi Kolicaj dhe vëllai i tij, një bashkëpunëtor, do të “vazhdonin të përbënin rrezik pas përfundimit të dënimit”.
Kolicaj pretendoi për gabime ligjore në vendim dhe shkelje të së drejtës së tij për jetë familjare sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.