Dy arkeologë dhe dy instrumentistë ishin protagonistët e mbrëmjes me titull “E ardhmja është në origjinë”, që u organizua në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Të pranishmit, kryesisht studentë, u njohën me historinë mijëra vjeçare të Durrësit, me personazhet dhe ngjarjet historike të qytetërimit të kësaj zone, përmes rrëfimit të prof. Lida Miraj dhe arkeologut Saimir Shpuza.

Qytetarët e rëndësishëm të Durrësit në shekuj ishin një temë tjetër e bisedës së dy specialistëve.

Koncerti – duo i artistëve Pjetër Guralumi dhe Arven Pjetri u mbështet mbi elementin e zërit njerëzor dhe violonçelit si dëshmitarë të kohës.

Tre veprat e para i përkasin kompozitorëve me prejardhje ilire dhe arbërore, Niketa i Remesianas (335 – 414), Jan Kukuzeli (1280 – 1370) dhe Gjergj Danush Lapaçaja (1495 –  1570).

Materialet e përgatitura nga studiuesi Edmond Buharaja, si dhe duetet e përpunuara prej tij erdhën për dëgjuesit mjaft të arrira teknikisht, duke risjellë atmosferën muzikore mesjetare.

Prof. Pjetër Guralumi në formën e një leksioni konkret prezantoi edhe veprat e autorëve të tjerë si Antonio Vivaldi (1678 – 1741); Johan Sebastian Bach (1685 – 1750) dhe Luigi Bocherini (1743 – 1805).

Instrumentistët nga kryeqyteti interpretuan mjeshtërisht duke nënvizuar edhe periudhat e krijimit të vepprave muzikore, dhe karakteristikat e tyre.

Koncerti u mbyll me kohën e parë të Sinfonisë nr.5 nga Ludvig van Bethoven, e cila fitoi duartrokitjet e të pranishmëve.

G.K.