Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare dirigjentja e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi. E ëma e kantautorit Gjergj Leka ka ndërruar jetë në Trieste të Italisë.

Rozmari Jorganxhi lindi më 8 korrik 1937 në Korçë. Artistja ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike. Ishte “mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare.

Repertori solistik i Rozmari Jorganxhi është i pasur, i larmishëm dhe përfshin krijime të të gjitha gjinive. Ky repertor është interpretuar në mjaft koncerte dhe shfaqje operash brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe ka vënë në skenë dhjetra vepra shqiptare dhe të huaja.

Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin “Giusepe Verdi” të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Në vitin 2017, ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”.