Renato Nasto nëpërmjet rrjetit social “Instagram” reklamonte aktivitetin e tij të paligjshëm, me emrin “viza_amerikane_insider”. Në faqen në instagram Nasto shkruante edhe mesazhet ku shprehej: “viza Amerikane me garanci 100%. Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’iu aprovohet.”

Kjo ishte metoda si ai gjente klientët dhe më pas bënte procedurat për aplikimin e vizave. Disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.

I dyshuari kryesor për këto raste është Renato Nasto ndërkohë personat e tjerë sipas policisë janë persona që kanë aplikuar për viza amerikane, pra janë drejtuar tek Renato Nasto dhe ky i ka ndihmuar personat aplikantë të falsifikonin të dhënat e formularëve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues.

Për këtë shkak policia arrestoi personat që kishin mashtruar dhe falsifikuar të dhënat për vizën amerikane K.P., K.K., K. L., Xh.S., dhe u shpall në kërkim E. Gj., të cilët kanë rezultuar se në bashkëpunim me Renato Naston kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.

Sipas policisë Renato Nasto, paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kualifikoheshin (merrnin vizën) Renato Nasto merrte shumën prej 10.000 eurosh.