Teuta po kalon momentin më të mirë të sezonit. Durrsakët kanë marrë 13 nga 15 pikët e mundshme në 5 ndeshjet e fundit në Superiore. Të besuarit e Edi Martinit kanë regjistruar 4 fitore dhe 1 barazim, duke u larguar disi nga zona e rënies. Bregdetarët kanë një ndeshje të prapambetur që do e zhvillojnë këtë mesjavë ndaj Dinamos. Forma pozitive ka bërë të besojnë në Durrës se nëse ruajnë ritmin mund të afrohen me zonën “Final 4”. Nëse vjen fitorja përballë Dinamos, diferenca me vendin e katërt do të shkonte 4 pikë.
Në të tilla rrethana, sfida me “nëndetësen blu” merr një rëndësi të veçantë dhe në Durrës duan me patjetër tri pikët. Që minimalisht do i jepte Teutës qetësi sa i takon mbijetesës.Pas ndeshjes me Dinamon, Teuta luan me Laçin e më pas me Skënderbeun. E thënë ndryshe momenti më i rëndësishëm i sezonit i gjen durrsakët në formën më të mirë. Dhe nëse i bëjnë gjërat siç duhet krejt sezoni mund të ndryshojë fytyrë si me magji për djemtë e Edi Martinit.