Klubi teatror i të rinjve në Durrës është tashmë realitet. Ai nuk kishte sesi të kurorëzohej më bukur sesa gjatë shfaqjes teatrore “7 minuta”, ku shumë nga të rinjtë e shkollave të mesme të qytetit u takuan me disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare.

Njëkohësisht ata patën mundësi të shohin nga afër ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku regjisorja Driada Dervishi u dha adoleshentëve të apasionuar pas artit shumë informacione mbi historikun 70-vjeçar të këtij institucioni.

Nisma për krijimin e klubit teatror të të rinjve, e ndërmarrë nga teatri “Aleksandër Moisiu” dhe që ka gjetur mbështetjen e kryetares së bashkisë Emiriana Sako dhe Zyrës Arsimore Vendore ka për qëllim angazhimin e të rinjve në sipërmarrje që kanë lidhje me artin dhe teatrin në veçanti.

“Ishte një dëshirë e kahershme për të krijuar në Durrës një klub teatror të rinjsh dhe më në fund u realizua. Kryetarja e bashkisë dëshiron që të nisim një sërë aktivitetesh, ku në fokus të jenë pikërisht të rinjtë, mënyra e qasjes ndaj teatrit dhe artit në përgjithësi”,– tha ndër të tjera regjisorja Dervishi.

Në një të ardhme të afërt, shumë prej të rinjve anëtarë të klubit teatror mund të jenë artistët e radhës që do të ngjiten në skenë.

“Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i shumë ideve që flenë dhe që mezi presin të marrin jetë. Ne dëshirojmë që nesër në skenat e teatrit t’i shohim këta të rinj jo vetëm në publik, por edhe në skenë”, deklaroi e entuziasmuar regjisorja Dervishi.

M.B.