Teuta në volejboll mori një fitore tepër të rëndësishme në Durrës për të qëndruar në Superligë.
Vajzat durrsake të drejtuar nga trajneri Edmond Jazexhi, mundën 3-0 me sete Flamurtarin në ndeshjen e parë “play out” dhe hedhin një hap të madh drejt qëndrimit në elitë.
Flamurtari doli në vendin e dytë në Kategorinë e Parë dhe sipas formulës së FSHV-së, do të luante me vendin e parafundit të Superligës (Teutën) për t’u ngjitur në elitën e voljebollit shqiptar.
Ndeshja e parë e zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” foli tërësisht për vajzat e Teutës që dominuan në parket.
Teuta i tregoi ambiciet e saj që në setin e parë duke fituar me shifrat 25-15, edhe në të dytin fitoi me lehtësi 25-12.
Ndërkohë seti i tretë ishte më i luftuar, me Flamurtari që realizoi disa pikë radhazi dhe besoi deri në fund, por vajzat durrsake u treguan më të sakta dhe fituan 25-21.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më datën 18 prill në Vlorë.