Teuta do të vazhdojë të jetë pjesë e Superligës së volejbollit të femrave edhe në edicionin e ardhshëm. Durrsaket i kanë mbyllur llogaritë me dy ndeshje kundër Flamurtarit në “play out”. Pasi kishin fituar 3-0 më 12 prill në “Ramazan Njala”, vajzat e trajnerit Edmond Jazexhi triumfuam me të njëjtin rezultat edhe në ndeshjen e djeshme në Vlorë.
Teuta u shfaq dominuese në të tria setet, duke fituar thellë 9-25, 18-25 dhe 8-25, për ta vulosur suksesin për 1 orë e 17 minuta.
Kështu, vajzat durrsake do të vijojnë të luajnë mes më të mirave të sportit të rrjetës në Shqipëri, ndërsa vlonjatet e trajnerit Theodhori Driza, një ekip i ri në moshë, do të duhet ta rinisin nga niveli i dytë edhe edicionin e ardhshëm. Volejbolli i femrave tashmë do ta ketë të gjithë fokusin te finalet e kampionatit mes Skënderbeut dhe Tiranës, me serinë që nis në Korçë me ndeshjen e parë më 21 prill.