Ish-deputeti i LSI-së dhe ish-këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ralf Gjoni ka dalë nga zyra e SPAK pas më shumë se 4 orësh.
Për mediat që e prisnin në oborrin e godinës, Gjoni nuk dha detaje të shumta se përse është pyetur nga SPAK. Ai tha se ai vetë nuk është person në hetim dhe se është pyetur në lidhje me funksionet shtetërore që ka mbajtur gjatë jetës së tij.
“Jam pyetur si shtetas në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Nuk u pyeta si person në hetim. Nuk ka arsye për të më hetuar mua. Nuk kam qenë pjesë e dosjes së ish-presidentit Meta, se s’kam qenë në kontakt me të kur ka qenë kryetar shteti. Nuk ka asnjë arsye për të më hetuar mua.
Nuk mund ta them më shumë, mund të pyesni prokurorët. Dua të respektohem dhe dua të tregohem profesional, kaq kisha për të thënë”, theksoi Ralf Gjoni.
Gjoni mendohet se është pyetur nga prokurorët e SPAK-ut për aferën CEZ-DIA dhe për lobimin në SHBA. Çifti Meta-Kryemadhi po hetohen në lidhje me pasurinë e tyre.
Ralf Gjoni ka dhënë shpjegime përpara agjentëve të BKH-së dhe të prokurorëve të SPAK. E para që u pyet për pasurinë e çiftit Meta-Kryemadhi ishte Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit.