Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, thotë se referuar shifeave duhet të kemi pritshmëri të larta në flukse turistike.
Teksa ka marrë pjesë në Konferencën Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, ajo thekson se kanë filluar takimet me turoperatorët.
Sipas saj, askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse.
“I kemi filluar takimet me turoperatorët, me të gjithë prefektët dhe me kryetarët e bashkive bregdetare me të cilët do të vijojmë të jemi në një komunikim të pandërprerë 24 orë për çdo problematikë. Do të vazhdojë komunikimi intensiv dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit përmes flotës së dedikuar të Policisë Kufitare për kontrollet mbi operimin e mjeteve motorike detare si skafe, motora uji, gomone, jahte etj. Kemi certifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Nuk diskutohen prania e pangegociueshme e vrojtuesve të plazheve për çdo stacion si dhe gjithë sinjalistika orientuese për pushuesit. Ky detyrim është po aq i dosmodoshëm edhe për plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë. Stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë gjatë gjithë sezonit veror në inspektim dhe me kompetenca të shtuara, pas ndryshime të fundit ligjore. Mund të anulohen edhe kontratat e stacioneve të plazhit dhe në mungesë të zbatimit të detyrimeve kthehen në stacione plazhi publike dhe menaxhohen nga bashkitë”, u shpreh ministrja.
Kumbaro shtoi se vitin e shkuar 4.5 milionë turistë vizituan Zonat e Mbrojtura dhe kërkoi shërbimin e guidave lokale për të shmangur incidentet gjatë eksplorimit të terreneve malore.
“E gjej me vend të bëj edhe një thirrje për të gjithë tour operatorët dhe eksploruesit e zonave malore, të kërkojnë shërbimin e guidave kombëtare apo lokale që operojnë në zonat përkatëse, për të shmangur çdo incident, sepse përveçse kushton jetën e shëndetin, vendosim në rrezik edhe ekipet tona, por ka edhe kostot e veta. Janë mbi 600 udhërrëfyes të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Me ligjin e ri të turizmit, kemi krijuar edhe më shumë lehtësi nga burokracitë certifikimin e udhërrëfyesve, prandaj përfitoj edhe nga ky rast për të ftuar këdo që ka pasion turizmin të investohet në këtë profesion”, u shpreh ministrja Kumbaro.