Egnatia – Vllaznia dhe Partizani – Skënderbeu janë dy gjysmëfinalet e “Final Four” në kampionatin “Abissnet Superiore”, ku skuadrat do të luftojnë për finalen e madhe të 26 majit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse para shortit, ndërsa ftoi edhe tifozët të mbështesin skuadrat e tyre të zemrës në stadiumin “Air Albania”.
“Ky është një format i ri i kampionatit, i cili ka pasur diskutimet e veta, por unë uroj që performanca e skuadrave në këtë fazë finale të japë përgjigje pozitive, të ketë sa më shumë spektatorë dhe pse jo, të na dhurojë sa më shumë emocione. Kjo lojë është për të kënaqur publikun dhe për të dhuruar emocione, teksa është edhe shumë e rëndësishme se kush del kampion, por më e rëndësishëm është zhvillimi i lojës. Jam i sigurt që ky format do t’i shërbejë zhvillimit të lojës në Shqipëri dhe përgatitjes së skuadrave tona për garat europiane. Ju falënderoj dhe i uroj shumë suksese katër skuadrave në këtë turne final. Uroj që të kënaqen sa më shumë tifozët në stadiume, të cilët i ftoj ta mbështesin dhe ta ndjekin nga afër me emocion këtë garë dhe ata të cilët do ta ndjekin përmes ekranit”, tha Duka.
Për shkak se Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe ndeshja finale ndaj Kukësit do të luhet nesër në 19:00 është vendosur që ndeshja Partizani – Skënderbeu të zhvillohet të premten më datë 17 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.
Ndërsa gjysmëfinalja e dytë Egnatia – Vllaznia, do të luhet më datë 19 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.
Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Partizani.