Italia nuk shkoi më shumë se një barazim mbrëmë në ndeshjen ndaj Bosnjes, e para në Ligën e Kombeve në edicionin e dytë të këtij kompeticioni. Goli i Xhekos dhe rrjeta e Sensit fiksuan shifrat në 1-1, duke i ndërprerë kështu Italisë serinë e 10 fitoreve rresht. Në formacion pritej të ishte kapiteni i ekipit Xhorxho Kielini, por në fund nuk ndodhi kështu dhe shumë prej tifozëve u surprizuan. Në vend të kapitenit të Italisë ishte Acerbi dhe e gjithë kjo ndodhi prej një gabimi.
Vetë trajneri Mançini tregon se në formacion duhet të ishte Kielini, por mungesa e syzeve ndikoi në gabimin e prezantimit të formacionit tek organizatorët e ndeshjes.“Ishte faji im. Ata më treguan formacionin zyrtar dhe unë nuk kisha vënë syzet dhe i thashë se ishte ‘OK’. Nuk e vura re se aty ishte Acerbi dhe jo Kielini. Gjithsesi ne e kishim planifikuar që në një ndeshje të luante Xhorxho dhe në një tjetër Acerbi. Unë e pyeta Kielinin dhe ai më tha se dëshironte të luante sot, por tashmë do të ndodhi e kundërta. Nuk është ndonjë diferencë e madhe, por ishte një gabim nga ana ime”, u shpreh Mançini.





