Në Shqipëri, parandalimi i krimeve zgjedhore dhe përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi përmirësimin e procesit zgjedhor po kthehet në një temë kryesore debati, ndërsa kanë nisur përgatitjet mbi zgjedhjet e përgjithshme të radhës.

OSBE zhvilloi një takim me KQZ-në, SPAK-un, policinë dhe shoqërinë civile, ku bëri thirrje për zbatimin e ligjit në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për hetimin e krimeve zgjedhore.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian u bëri sot thirrje institucioneve shtetërore dhe gjyqësore që të hetojnë çdo provë që lidhet me blerjen e votave dhe presionet mbi votuesit.

Drejtuesi i përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, tha sot në një takim të përbashkët me KQZ-në, policinë, prokurorinë dhe veprimtarë vendorë që vëzhgojnë proceset zgjedhore se zbatimi më i fortë i ligjit nevojitet ndaj kujtdo që është përfshirë në të shkuarën në dhunimin e zgjedhjeve përmes blerjes së votave.

“Tani është koha e duhur për të vlerësuar rekomandimet OSBE/ODIHR-it dhe për të trajtuar çështjet e shtruara mbi përmirësimin e sjelljeve të institucioneve shtetërore për sa i takon blerjes së votave si dhe dhunimeve të tjera zgjedhore”, tha ambasadori Tarran.

Ai theksoi se rekomandimet e ODIHR-it janë zbatimi më i mirë i masave ligjore sa u takon dhunimeve zgjedhore dhe hetimit të krimeve zgjedhore sa më shpejt dhe me vendosmëri.

“Hekuri rrihet sa është i nxehtë ose drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. OSBE është gati të mbështesë hapat kundër krimeve zgjedhore ndërkohë që zgjedhjet e tjera po afrohen. Ne jemi gati të mbështesim çdo masë që është e nevojshme. Llogaridhënia është thelbësore për të treguar me forcë mesazhin që krimet zgjedhore nuk do të tolerohen”, tha ambasadori i OSBE-së Tarran.

Nga ana tjetër kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se megjithë përmirësimet e procesit zgjedhor, dukuritë e abuzimeve dhe shkeljeve ligjore janë të pranishme, ndonëse nuk është e matshme sipas tij se sa ato ndikojnë në cilësinë e zgjedhjeve dhe rezultatin e tyre.

Zoti Celibashi theksoi se “shkeljet në zgjedhje trajtohen nga një seri institucionesh, dhe mund të shmangen nëse ato veprojnë njëkohësisht” për të parandaluar, hetuar apo ndëshkuar autorët, por këto shqetësime, sipas tij, “kanë nevojë për qasje teknike dhe jo për retorikë politike”.

Nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Misioni i OSBE/ODIHR-it konstatoi se zgjedhjet vendore të 14 majit ishin përgjithësisht të administruara mirë, konkurruese dhe paqësore”, por ato u shoqëruan me probleme si keqpërdorimi i burimeve shtetërore nga qeverisja qendrore dhe ajo vendore, presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, si edhe pati njoftime për blerje votash.

Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuan se mbulimi mediatik i fushatës ndihmoi dukshëm partitë kryesore në dëm të partive më të vogla, dhe se publikimi vazhdimisht në lajmet e mediave i materialeve filmike të përgatitura nga partitë dëmtoi pasqyrimin objektiv dhe gjithëpërfshirës të fushatës zgjedhore./VOA