Në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Policia dhe zjarrfikësit janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe i kanë gjetur ata në kanion. Policia ka bërë nxjerrjen e tyre dhe ata janë që të gjithë shëndoshë e mirë.
Më e vështirë ka qenë eksperienca e një turisteje franceze dje, e cila kishte nisur të ecte e vetme në malin e Çikës në Vlorë. Policia dhe zjarrëfikësit kanë nisur ta kërkojnë atë në zonën e pyllëzuar të malit për orë të tëra dhe kanë mundur ta gjejnë francezën në një zonë të thellë ku kishte humbur orientimin.
Gjendja e saj ishte e rënduar për shkak të dehidratimit por edhe lodhjes, zjarrëfikësit e kanë transportuar në krah në zonën e thyer e më pas i është dhënë ndihmë mjekësore më e specializuar.