Batuta dhe histori personale, rrëfime zemre, por edhe situata +16 vjeç.

Komedia italiane “Indian party”, e cila erdhi në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” nën regjinë e Madi Selimit i kishte të gjitha këto.

5 personazhe femra dhe një tjetër që nuk del kurrë në skenë kalojnë në suitën e një hoteli festën e beqarisë së njërës prej tyre, duke shpalosur para publikut sekretet, dështimet në marrëdhëniet me meshkujt, por mbi të gjitha frikën e tyre më të madhe, të ndenjurit vetëm.

“Secila prej tyre ka një dramë të veten, që i ka shenjuar në rrugëtimin e jetës. Personazhet bashkohen nga vetmia, vetmia për jetën, vetmia për të pasur një familje, vetmia për shoqërinë. D.m.th. ka mesazhe shumë të forta, të cilat përcillen me anë të komedisë”,– thotë regjisorja Selimi.

Komedia “Indian party” erdhi vetëm për një natë në teatrin e Durrësit për t’i folur publikut për dilemat, që shoqërojnë psikozën e njeriut modern, e mbi të gjitha universit femëror. Një komedi e ndërtuar me personazhe femra, por që u drejtohet të gjithëve.

“E gjejnë veten edhe femrat, edhe meshkujt, sepse ka problematika të shumta, duke filluar që nga seksualiteti, problemet që kanë çiftet, problemet me fëmijët, problemet familjare etj. Ne jemi vërtet 5 vajza që performojmë, por diskutojmë problematika të ndryshme të jetës, që çdokush i ka”,- thotë para shfaqjes aktorja Jorida Meta.

“Sigurisht që është edhe për publikun e gjinisë mashkullore, i flet të gjithëve, pasi ku ka femra biseda dhe tema kryesore janë meshkujt. Secila nga personazhet ka qëllimin e vet, motivin e vet, por e rëndësishme është që të gjitha ne jemi karaktere dhe të gjitha ne do të falim shumë të qeshura”,- thotë aktorja Delinda Disha.

Në fund të komedisë, disa gjejnë dashurinë, disa miqësinë, e disa të tjera nisin raporte, që duken të dështuara që në nisje. Në fund të fundit, jeta i ndërthur të gjitha këto.

M.B.