Fati i 120 pengjeve të mbetura në Gaza është vendimtar për çdo marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të zgjatur dhe të përgjakshëm midis Izraelit dhe Hamasit.

Por një zyrtar i lartë i Hamasit i tha CNN se “askush nuk e ka idenë” se sa prej tyre janë gjallë dhe se çdo marrëveshje për lirimin e tyre duhet të përfshijë garanci për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Hamdan justifikoi faktin e tërheqjes nga miratimi i planit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, të propozuar nga SHBA. Ai tha se propozimi i fundit në tryezë, nuk përmbushi kërkesat e grupit për t’i dhënë fund luftës.

Hamasit i duhej “një pozicion i qartë nga Izraeli për të pranuar armëpushimin, një tërheqje të plotë nga Gaza dhe për t’i lënë palestinezët të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre”, shtoi ai.

“Izraelitët duan armëpushim vetëm për gjashtë javë dhe më pas duan të kthehen në luftë. Unë mendoj se amerikanët, deri më tani, nuk i kanë bindur izraelitët të pranojnë një armëpushim të përhershëm. Unë besoj se SHBA duhet të bindë Izrelin që të pranojë armëpushim të përhershëm si pjesë e marrëveshjes”, u shpreh Hamdan.

Hamdan fajëson Izraelin për gjendjen mendore të katër pengjeve të shpëtuar së fundmi, pasi një mjek tha se ata ishin subjekt i abuzimit të vazhdueshëm fizik dhe emocional gjatë kohës që ishin marrë peng nga Hamasi.

“Unë mendoj se nëse ata kanë probleme mendore, kjo është për shkak të asaj që bëri Izraeli në Gaza”, tha ai.

Arritja e një marrëveshje midis Hamasit dhe Izraelit duket e largët edhe për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Duke folur në samitin e G7, Biden tha se “nuk pret një marrëveshje armëpushimi së shpejti” në Lindjen e Mesme, por shton se nuk e ka humbur shpresën për një marrëveshje. Shpesh herë Biden i ka kërkuar Hamasit të pranonte një marrëveshje armëpushimi, si një formë presioni për ti dhënë fund luftës 8 mujore.