Shpërbërja e Fondacionit I’Iam, një qendër propagande e Shtetit Islamik, ka sjellë zbulime tronditëse për planet e anëtarëve të tij.
Siç zbulon gazeta online El Confidencial, operacioni i ngritur nga policia spanjolle në bashkëpunim me Europol dhe FBI, i dha një goditje të rëndësishme ISIS-it duke mbyllur organizatën.
Fondacioni I’Iam kishte radio stacione, agjenci lajmesh, kompani të prodhimit të mediave audiovizive dhe profile të mediave sociale që transmetonin përmbajtjen e tyre edhe në spanjisht dhe pas përfundimit të operacionit u arrestuan gjithsej nëntë persona, dy prej të cilëve menjëherë u është caktuar masa e paraburgimit.
Por tronditja për autoritetet policore erdhi kur u këqyr materiali i sekuestruar në ambientet e Fondacionit. Kjo pasi, ndër të tjera, u gjet material propagandistik që u bën thirrje përkrahësve të Shtetit Islamik të sulmojnë autobusin e Real Madridit dhe tifozët që do të jenë në rrugë për të përshëndetur idhujt e tyre!
“Vëllai im i dashur. Prisni në një vend afër pikës së mbërritjes së lojtarëve. Vini në shënjestër ata dhe ndjekësit e tyre”, shkruhet në posterin që u gjet i printuar, dhe tregon një burrë të maskuar që qëllon në autobusin merengue!
Gjithashtu u gjet një tjetër poster që bën thirrje për një sulm në Santiago Bernabeu me tekstin e mëposhtëm: “Vëllai im i dashur, një gol shumë i rëndësishëm të pret. Thyeni turmën, shpërqendroni sigurinë me eksplozivë të improvizuar dhe pajisje mashtrimi dhe lëvizni drejt objektivit tuaj kryesor me vendosmëri.”
Por përtej urrejtjes ndaj Real Madridit, autoritetet kanë zbuluar edhe dokumente me të cilat u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre të sulmojnë si gjatë organizimit të Euro 2024 ashtu edhe në Lojërat Olimpike në Paris!
“Shënoni golin e fundit!”, ishte mesazhi i koduar për sulmet në Euro, ku u propozuan të zhvilloheshin në Berlin, Mynih dhe Dortmund!
Në lidhje me Lojërat Olimpike në Paris, u sekuestrua një poster me imazhin e Kullës Eifel, të shënjestruar nga një bombë me dron, e cila u etiketua si “dhuratë”, ndërsa mbishkrimi ndër të tjera shkruante: “Olimpiada e ujkut të vetmuar fillon me vullnetin e Allahut”.
Në fakt, autoritetet, përveç gjetjeve të tjera, konfiskuan edhe udhërrëfyes të vetë-trajnimit terrorist të krijuar nga Fondacioni, në mënyrë që ndjekësit e tyre të mund të stërviteshin.