Paradite i mbushur plot me turistë, ndërsa pasdite hap dyert për artin. Amfiteatri i Durrësit ka nisur edhe këtë sezon veror aktivitetet kulturore, të cilat transmetojnë emocione të veçanta në monumentin e ndërtuar në shekullin II të e.s. dhe një ndër më të rëndësishmit në gadishullin e Ballkanit.
“Këtë vit, si çdo vit tjetër, në amfiteatrin e qytetit por edhe në të gjitha sitet kulturore të qytetit, Ministria e Kulturës ka hapur dyert e saj për të bërë disa aktivitete kulturore. Kjo me qëllim për t’i dhënë mundësinë të gjithë vizitorëve që vijnë në qytetin tonë të kenë mundësi ta vizitojnë gjatë ditës amfiteatrin dhe monumentet e tjera, por të kenë mundësi të vijnë edhe gjatë pasdites të shijojnë aktivitete të ndryshme, siç është ky i sotmi”,- thotë drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj.
Shfaqja e parë që hapi siparin e eventeve kulturore në amfiteatër ishte stand up komedi e aktorit Gent Hazizi, “Krejzi brother”, që përmes batutave solli plot momente gazmore mes artdashësve.
Me ironinë goditëse dhe situatat që shumëkush e gjen veten në përditshmëri, Hazizi preku shumë tematika të aktualitetit shqiptar, marrëdheniet mes çiftit bashkëshortor etj.
“Jam për herë të parë këtu dhe të jep tjetër emocion të japësh një shfaqje në amfiteatër, ndryshe nga kur je në sallë apo në lokale siç ndodh me stand up komedinë. Njerëzit gjejnë veten në ato që unë them, sepse unë trajtoj probleme sociale që janë familjare, marrëdhëniet me bashkëshorten apo fëmijët, marrëdheniet me televizionet, me kauzat e mëdha që shpesh nuk janë të tilla etj”,- thotë komediani Hazizi.
Edhe mbrëmjen e sotme, dyert e amfiteatrit të Durrësit do të jenë të hapur për artdashësit për stand up komedinë “Më fal o Atë se nuk di ç’them” nga Besnik Mustafaj.
M.B.