Tre dhunuesit e 29-vjeçares në Vlorë janë lënë në burg nga gjykata. 

Masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë u vendos për të atin e vajzës, 60-vjeçarin Astrit Bajrami, vëllanë e saj 26-vjeçar, Ervin Bajrami dhe partnerin, Armand Janka. 

Babai, vëllai dhe i fejuari dyshohet se ushtruan dhunë ndaj saj pasi ajo kundërshtoi martesën e imponuar nga familjarët për t’u martuar me Armand Jankën 34 vjeç. 

Ndërkohë kanë folur për mediat, avokatët e të arrestuarve të cilët thanë se vajza nuk ka patur dhunë, por ka patur sëmundje epileptike. Ata theksojnë se vajza ka pasur sëmundjen e epilepsisë që në moshën 2-vjeçare.  

Në ato momente ka pasur kriza dhe babai dhe i vëllai e kanë mbajtur për krahu. Ata jetonin në një banesë së bashku edhe me të fejuarin, për shkak edhe të kushteve ekonomike.  

Avokatët shtojnë se prej kohësh vajza shkonte tek neurologu dhe mjekët kanë parë shenjat në krahë, ku e kanë mbajtur babai dhe i vëllai gjatë krizës dhe kanë lajmëruar policinë. Më tej ata shprehen se kërkojnë hetime më shumë përpara se policia të bëj veprime. Ndërkohë bëjnë me dije se do të bëjnë publike kartelën e 29-vjeçares, si e prekur nga epilepsia. 

Prokuroria kërkoi arrest në shtëpi për të arrestuarit e dyshuar, por Gjykata vendosi arrestin në burg, edhe për shkak se ata jetojnë në një shtëpi dhe mund të ketë konflikte.