Sulmet mes policisë dhe disa militantëve të armatosur që sulmuan dy kisha ortodokse, një sinagogë dhe një rajon policie në sulme terroriste në zona të ndryshme në Dagestan të Rusisë, kanë lënë të vdekur 19 oficerë policie dhe disa civilë.

Gjashtë persona të armatosur janë vrarë gjithashtu, ndërsa gjashtëmbëdhjetë persona u dërguan në spital me lëndime.

Tre ditë zie janë shpallur në Dagestan, një republikë me shumicë myslimane në Rusinë jugore, e cila është fqinje me Çeçeninë.

Sulmet me sa duket të koordinuara kishin në shënjestër qytetet Derbent dhe Makhachkala në festën ortodokse të Rrëshajëve.

Dagestani në të kaluarën ka qenë skenë e sulmeve islamike.

Edhe pse sulmuesit nuk janë identifikuar zyrtarisht, mediat ruse raportuan gjerësisht se mes të armatosurve ishin dy djemtë e kreut të distriktit Sergokalinsky afër Makhachkala, Magomed Omarov, Osman dhe Adil. Z. Omarov u ndalua nga policia.

Për 10 vite me radhë duke nisur nga 2007, në gjithë rajonin ka qenë aktive një organizatë ekstremiste islamike që kërkonte ngritjen e një Emirati Islamik në këtë rajon dhe që kreu vazhdimisht sulme terroriste, duke e shtrirë dhunën edhe në Çeçeni.