I dërguari i presidentit amerikan Joe Biden për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein, paralajmëroi zyrtarët libanezë javën e kaluar se Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë Izraelin të pushtojë Libanin nëse Hezbollahu vazhdon sulmet e tij.

Axios e raportoi këtë, duke cituar një zyrtar amerikan, një zyrtar izraelit dhe një diplomat perëndimor të afërt me këtë çështje.

Hochstein ishte në Liban javën e kaluar ku bëri thirrje për një reduktim “urgjent” të përleshjeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe Izraelit, të cilat kanë vazhduar që nga fillimi i luftës së Gazës.

Ai gjithashtu vizitoi Izraelin dhe zhvilloi bisedime në Jerusalem me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe me liderët e opozitës.

Gjatë takimit të tij me kryetarin e parlamentit libanez Nabih Berri, Hochstein thuhet se kërkoi t’i dërgonte një mesazh udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, se Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të kontrollojnë Izraelin. I dërguari i SHBA-së këshilloi Hezbollahun që të negociojë në mënyrë indirekte me Izraelin, në vend që të rrisë tensionet në kufi.