Këtë vit u mbushen 60 vite nga premiera e trupës së parë profesioniste të varietesë në qytetin e Durrësit.
Regjisori i parë, Gjergj Vlashi kujton shfaqjen “Vizitoni ekspozitën tonë” më 5 maj të vitit 1960, që shënoi edhe ditën e themelimit të Estradës profesioniste në qytetin bregdetar.
Aktori Aleksandër Pepa bën pjesë në grupin e aktorëve themelues të këtij teatri, regjisori Gjergj Vlashi e kishte pikasur djaloshin shkodran si ekonomat në portin detar, që në vitin 1953, pak muaj pasi ishte zhvendosur drejt qytetit bregdetar nga Shkodra, ku punonte si mësues. Vlashi e aktivizon në komedinë e tij “Dhoma nr. 13”, ku fitoi admirimin e publikut falë rolit kryesor dhe akcentit shkodran. Bashkë me Spiro Stratin, Ramazan Njalën, Aleks Llazarin dhe Enver Likmetën, nën drejtimin e regjisorit Vlashi, edhe Sandër Pepa ngjitet në skenë tashmë si profesionist në teatër me premierën “Vizitoni ekspozitën tonë”.
“Që nga ajo ditë (5 maj 1960) në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” janë ngjitur mbi 140 premiera, të cilat kanë sjellë te spektatorët e shumtë jo vetëm humor, por kanë evidentuar mjaft aktorë të talentuar dhe të dashur për publikun,” – shprehet ish-regjisori Vlashi. “Spiro Strati, Meropi Xhoja, Sandër Pepa, Lumturi Dashi, Ramazan Njala e Enver Likmeta ishin artistët e parë që mbërritën nga radhët e lëvizjes amatore, ndërsa më pas trupa u shtua me aktorë të tjerë, kujton regjisori 91-vjeçar.
Ishte periudha e artë, kur trupa e Estradës së Durrësit mirëpritej në të gjitha qytetet e vendit dhe kur aktorët e saj ndryshonin mentalitetin e shikuesve, falë krijimtarisë së regjisorit-libretist Gjergj Vlashi dhe punës së palodhur të artistëve. “Kemi punuar me një kolektiv shumë të mirë, edhe atëherë kur afruan më të rinjtë si Aishe Stari e Fadil Hasa, Elibeti Tirana, Adem Gjepali e Lumturi Dashi, Muharrem Hoxha, Roland Koça dhe Edmond Halili.
“Lëvrimi i elementëve alternativë si teatri i hijeve apo i kukullave brenda shfaqjes, imitimet, fjala artistike apo parodia e kupleti si dhe kërkimi i detajit të veçantë për të krijuar brenda kohës së shkurtër të një skeçi një personazh apo një situatë komike e bënë trupën e Durrësit mjaft të vlerësuar në të gjithë vendin”, shton aktorja veterane Aishe Stari. “Kush e ka radhën”, që u vlerësua me çmimin e parë në festivalin e humorit për fëmijë ishte një shfaqje e mbështetur te intepretimi dhe konkurimi i nxënësve, që luanin në skenë pranë aktorëve profesionistë”, kujton Stari.
Dekoret e kursyera e domethënëse përgatiteshin fillimisht nga skenografët Zef Ujkaj, e më pas nga Ilia Rota, Nikolet Vasia, etj., ndërsa muzikantët e njohur Enver Mara, Skënder Myshketa dhe Petraq Dhamo përgatisnin këngëtarët dhe orkestrën profesioniste të atashuar pranë trupës.
Komedia “Mashtruesit” e Llambos Mallamas apo “Patriarkali modern” i Dionis Bubanit, inskenimi i komedive “14 vjeç dhëndërr” dhe “Pas Vdekjes” të Andon Zako Çajupi, apo vënia në skenë e operetës “Këngë për detin” ishin disa nga shfaqjet e viteve 1960-1980, që “dolën” nga korniza e një spektakli të zakonshëm të varietesë. Premiera “Sofra ballkanike” në vitin 1989 solli në skenë disa nga autorët më të njohur të humorit dhe satirës si Azis Nesin (Turqi), Jon Luka Karaxhale (Rumani), Dritëro Agolli (Shqipëri), etj.
Regjisori Haxhi Rama, i cili që nga fillimi i viteve 1970 punoi herë pas here me teatrin e estradës, e drejtoi që nga viti 1990 trupën profesioniste të varietesë së Durrësit. Trupa e varietesë së Durrësit përveç premierave në skenën e qytetit është duartrokitur në shfaqjet e shumta në të gjitha qytetet e vendit si dhe është vlerësuar me çmime nderi në festivalet kombëtare të estradës.