Një borxh, siç preferoi ai vetë ta quajë këtë koncert në qytetin e lindjes, pas shumë vitesh mungesë.

Dhe si për ta shlyer, koncertin gala e nisi me me një këngë ikonë të qytetit “Të falem i bukuri Durrës” e kompozitorit Enver Mara dhe e interpretuar me aq mjeshtëri nga i madhi Qemal Kërtusha.

Baritoni Gëzim Myshketa mbushi plot arenën e amfiteatrit mbrëmjen e së shtunës, duke ofruar për të gjithë të pranishmit jo vetëm një koncert me pjesë operistike nga disa nga ariet më të njohura botërore si ato nga operat “Karmen” apo “Traviata”, por edhe pjesë emblematike si “Për ty atdhe”, pjesë nga kompozitori i famshëm Ennio Morricone, Nino Rota etj.

“I kam përzgjedhur këto për ta bërë programin artistik të koncertit sa më interesant për të gjithë llojet e veshëve. Si për ata specifikë operistikë, por edhe jo vetëm”,- deklaroi Myshketa para koncentit.

Megjithëse ka performuar në shumë skena botërore, para shumë personaliteteve të famshëm, ky koncert gala në vendlindje mbarte një emocion të veçantë për Myshketën.

Për të, ngjitja në arenën e amfiteatrit antik, monumentit që e ka njohur që në vegjëlinë e tij, rrugët që i ka përshkuar aq herë në fëmijërinë dhe rininë e tij, por edhe interpretimi para familjes, autoriteteve më të larta qendrore dhe vendore, si presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe kryebashkiakja Emiriana Sako, por edhe bashkëqytetarëve të tij është një emocion që rrallë provohet.

Ky koncert pas 12 vitesh mungesë nuk do të jetë i fundit.

“Pritëm shumë vite por të mos jetë koncerti i fundit, por fillimi i shumë koncerteve dhe programeve të tjera për qytetin dhe jo vetëm”,- tha Myshketa.

Lidhjen me Durrësin, ai synon ta mbajë goxha të fortë tani e prapa. Dhe jo më kot, rikthimi me koncert në vendlindje pasoi projektin tjetër të tij, për hapjen e një Masterclass-i për talentet e reja të muzikës lirike, një kurs specializimi i nivelit të lartë vokal dhe skenik.

I titulluar “Durrës opera art of singing”, kjo iniciativë lindi si një ëndërr e këngëtarit lirik për t’i dhënë një tjetër peshë qytetit të tij të lindjes në fushën operistike.

“Kam dëshirë ta shndërroj qytetin e Durrësit në një qendër specializimi për të rinj nga gjithë Evropa e bota, që të vijnë këtu në Durrës dhe të perfeksionojnë artin e tyre operistik”,– deklaroi Myshketa.

E me sa duket hapat e parë i ka hedhur. Tashmë mirëpret edhe mbështetjen institucionale për ta vijuar dhe zhvilluar më tej këtë projekt.

M.B.