Demokratët do të investojnë 15 milionë dollarë në shtatë shtete me rëndësi kritike për zgjedhjet e nëntorit, një përpjekje e fushatës presidenciale në shenjë kundërpeshe ndaj Kuvendit të Republikanëve. Fushata ka filluar ndërsa janë shtuar zërat në Partinë Demokratike që i kërkojnë Presidentit Joe Biden të tërhiqet nga zgjedhjet e nëntorit.
Komiteti Kombëtar Demokratik njoftoi se fondet janë një investim në degët shtetërore të partisë, me qëllim që t’i ndihmojnë ato të hapin më shumë zyra në terren dhe të zgjerojnë personelin. Financimi do t’u mundësojë demokratëve që të hapin zyra shtesë përtej 217 zyrave ekzistuese të koordinuara të fushatës që punojnë për rizgjedhjen e zotit Biden. Sipas njoftimit, këto zyra në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Karolinën e Veriut, Nevada, Pensilvani dhe Viskonsin punësojnë tashmë mbi 1100 punonjës.
Tre milionë dollarë do të dërgohen në Viskonsin; gati 2 milionë dollarë në Pensilvani, Miçigan dhe Nevada; pothuajse 1.5 milion dollarë në Arizona; më shumë se 1.2 milion dollarë në Karolinën e Veriut; dhe më shumë se 1 milion dollarë në Xhorxhia.
Shpenzimi ishte planifikuar përpara se ish-presidenti Donald Trump të plagosej në një tentativë për vrasje gjatë tubimit të tij në Pensilvani të shtunën. Ky incident bëri që ekipi i fushatës së zotit Biden të ndryshojë përkohësisht strategjinë. Me gjithë atentantin, ish Presidenti Trump po merr pjesë në kuvendin e partisë dhe do të pranojë emërimin e partisë republikane të enjten.
Javët e fundit ekipi i fushatës së ish-Presidentit Trump ka hapur disa zyra të reja në terren, përfshirë në zonat kryesore zgjedhore, në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar Republikan.
“Ne kemi paguar për personel dhe programe në terren në çdo shtet ku rezultati mund të ndikojë në zgjedhje dhe ato po zgjerohen çdo ditë”, tha zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Karoline Leavitt. “Operacioni ynë agresiv është i përqendruar në rritjen e votave dhe nxjerrjen në pah të dallimeve” midis kandidatëve Trump dhe Biden.
Komiteti Kombëtar i Demokratëve për muaj të tërë ka thënë se operacioni në rritje i fushatës së saj në terren mund të ndihmojë në rezultatin e zgjedhjeve që pritet të jetë i ngushtë. Disa demokratë po përpiqen të zhvendosin vëmëndjen nga debatet e brendshme nëse Presidenti Biden duhet të vazhdojë të kërkojë rizgjedhjen pas paraqitjes së dobët në debatin televiziv me zotin Trump dhe pavarësisht nga dinamika e ndryshimit të fushatës pas plagosjes së ish-Presidentit fundjavën e kaluar.
Presidenti Biden dhe ekipi i tij kanë shtuar përpjekjet të sigurojnë ligjvënësit dhe donatorët e shqetësuar, si dhe votuesit skeptikë, se, pavarësisht moshës 81-vjeçare, presidenti demokrat mund të fitojë në nëntor. Pothuajse 20 ligjvënës demokratë megjithatë i kanë bërë thirrje publikisht zotit Biden të tërhiqet.
“Demokratët nuk po i lënë asgjë rastësisë dhe po investojnë shumë në terren për të siguruar që Joe Biden dhe Kamala Harris të fitojnë këto zgjedhje”, tha në një deklaratë kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, Jaime Harrison. “Ishte gjithmonë e pritshme që këto zgjedhje të kishin rezultat të ngushtë dhe pavarësisht nga ajo që thonë mediat, rezultati i tyre do të varet nga prania e partive dhe pjesëmarrja në shtetet që nuk janë bastion i asnjërës palë”.
Kryetarja e Partisë Demokrate të Arizonës, Yolanda Bejarano tha se zyrtarët e shtetit dhe fushata e Presidentit Biden hapën një zyrë të 15-të fushate në Arizonë gjatë fundjavës. Ajo shtoi se “këto zgjedhje do të fitohen duke shkuar nga dera në derë, duke folur me njerëzit për çështjet për të cilat ata interesohen”.
“Kjo është koha e përkryer (për ta bërë këtë) nga pikëpamja ime”, tha zonja Bejarano për investimin e Komitetit Kombëtar Demokrat. “Ne kemi nevojë për burime për të bërë punën, për të punësuar njerëz, për të pasur takime në të gjithë shtetin, për të përcjellë mesazhin përmes reklamave në media.”/VOA