Disa postime në rrjetet sociale me nota tallëse për gjatësinë e kryeministres, Giorgia Meloni, i ka kushtuar një gazetares italiane një shumë të madhe parash. Ajo është urdhëruar që t’i paguajë Melonit dëmshpërblim prej 5 mijë Eurosh për shkak të postimeve tallëse.
Një gjykatës vendosi se dy postimet në “X” (dikur “Twitter”) nga gazetarja Giulia Cortese ishin shpifëse dhe përbënin turp. Duke reaguar ndaj vendimit, Cortese u shpreh se qeveria italiane kishte një problem serioz me lirinë e shprehjes dhe mospajtimin gazetaresk.
Meloni-Cortese patën përplasjen e tyre të parë në Tetor 2021, kur partia e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” ishte ende në opozitë pasi gazetarja postoi një imazh të Melonit në rrjetin social “X”. Në foton e bërë publike, Meloni qëndronte para një rafti librash mbi të cilin ishte shtuar me modifikim një imazh i diktatorit fashist Benito Mussolini me kornizë.
Në një postim në Facebook, Meloni tha se do të merrte masa ligjore. Më pas në të njëjtën ditë, Cortese tha se ajo e kishte fshirë imazhin pasi kuptoi se ishte e rreme, por akuzoi Melonin për krijimin e një “grupi mediatik” kundër saj dhe tha se postimi në Facebook tregonte se ajo ishte një “grua e vogël”.
Më vonë shkroi në një postim tjetër: Ti nuk më tremb mua, Giorgia Meloni. Në fund të fundit, ti je vetëm 1.2 metra e gjatë. Unë as nuk mund të të shoh.
Ndërkohë, gjatësia e Melonit raportohet në mediat italiane të jetë 1.63 m. Cortese nuk u gjobit për publikimin e imazhit fillestar, por u dënua për postimet e mëvonshme në “X”. Ajo ka mundësinë të apelojë këtë vendim, por ende nuk ka konfirmuar nëse do ta bëjë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, avokati i Melonit tha se ajo do të dhuronte çdo para që do të merrte për bamirësi.