Sami Frashëri, duke menduar për shtetin e ardhshëm të Shqipërisë, i kushton vëmendje të veçantë pagave të pushtetarëve. Ai thotë se: “dy gjëra i prishin njerëzit e qeverisë: pagesat e larta, ose pagesat e ulta”. Në këtë kuptim, ai këshillonte që të jepeshin paga mesatare. Ai donte që nënpunësit të ishin të ndershëm. Ai përmend këto fjalë të filozofit persian Saadi Shirazi, i cili ka thënë se: “po të marrë mbreti një vezë nga fshatari, ministrat e tij do të grabisin të gjtiha pulat e katundit”.

 Forca politike që merr pushtetin e ka për detyrë që të sigurojë jetën normale të qytetarëve dhe të rrisë mirëqenien e tij, duke menduar në vazhdimësi rrogat e ulta dhe pensionet, madje të përcaktojë minimumin e pagave që neojiten për të jetuar bashkë me pensionet. Paga minimale për çdo kategori të punësuarish duhet të jetë tek 100 mijë lekë të reja dhe pensioni në masën e 50 mijë lekëve, duke i ofruar çdo shtesi mundësi dhe një jetë me dinjitet. Mirëpo, levantinët që kemi në pushtet, si të djathtë, ashtu edhe të majtë, janë njerëzit më të korruptuar që ka njohur historia e këtij kombi, sidomos në këta 33 vitet e fundit. Korrupsioni është kthyer në sistem dhe që të ndryshojë kjo gjendje, duhet përmbysur sistemi i korruptuar. Vendi duhet të drejtohet nga një klasë e re politike, nga njerëz të rinj, të arsimuar në Perëndim.

 Si ka mudnësi që rritet rroga e Presidentit në 450 mijë lekë dhe me radhë të gjithë, që nga Kryeministri, ministra e deputetë me paga nga 300-350 mijë lekë të reja? Me vendim qeverie, paga minimale në vendin tonë është 40 mijë lekë të reja, pra 10 herë më pak se paga e pushtetarëve tanë. Çfarë mund të bëjë një njeri me 40 mijë lekë në muaj? Nuk mund të vazhdohet më me rritje pagash pa kufi për pushtetarët dhe të lihën në harresë shtresat e varfra. Pasurija dhe paraja duhet t’u kthehen popullit se është puna dhe djersa e tyre.

 Po ju citoj disa vargje të Faik Konicës shkruar në vitin 1901:

As bukë, as brekë s’ju lanë,

Ju punoni, ata hanë!..

Nuk ju lan’ as pak nderë,

Q’e keni pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini,

Unji kryet dhe po rrini.

O shqiptar barkzbrazur,

Fustançjerrë e këmbëzbathur,

Zemërohuni një herë,

As krenarë, por veç të dhjerë!

 Në Shqipëri mungon meritokracia, përzgjedhjen e stafit akademik, në çdo institucion, në pushtetin legjislativ, ekzekutiv e me radhë, nga  më e larta deri në më të ultën, e bëjnë patronazhistët e partisë në pushtet dhe injorancokracia  është në pushtet. Mungon transparenca për gjithçka. Pushteti nuk është në shërbim të qytetarit, por qytetari në shërbim të pushtetarit. Në këtë 32-vjeçar, nga viti 1992-2024, parlamenti i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë ligjet që ata t’i shërbejnë vetëm pushtetarëve, jo popullit. Ndarja e pronave sipas ligjit famëkeq 7501 nuk mbështetet aspak në parimet demokratike dhe legjislacionin e vendeve më të zhvilluara kapitaliste. Dhe kështu prona shkoi tek më i forti, jo tek i zoti. Përse nuk hetohet mënyra se si u privatizuan dhe shitën mbi 500 fabrika, uzina, ferma bujqësore, rezervat e luftës dhe madje dhe floriri që ishte i ruajtur në thesar? Këtë duhet të bëjë SPAKU-u, sepse kjo ishte pasuria e gjithë shqiptarëve e vënë me shumë mund e djersë për shumë vite dhe në vitet e ndërrimit të sistemit, ajo u vodh nga një grusht njerëzish.

 E ardhmja e fëmijëve, rinisë, njerëzve të trurit në këtë mjedis levantinësh në pushtet, është totalisht pa shpresa. Këta duhet të ikin. Shqipëria mund të shpëtohet vetëm nga reforma në drejtësi me ndihmën e SHBA-së dhe Evropës, pasi, si e djathta, ashtu dhe e majta, e sabotojnë atë. Ku shkoi pasuria kombëtare e këtij populli, kush e mori dhe si u pasuruan hajdutët në pushtet? Duhet t’u merret pasuria atyre dhe t’i shpërndahet popullit, vetëm kështu vendoset drejtësia!

 Shoqëria civile, media, bota akademike, njerëzit e thjeshtë, duhet të zgjohen nga gjumi letargjik dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, ku çdo rrogë punonjësi të mos jetë më pak se 100 mijë lekë të reja dhe çdo pensionist, në qyetet apo fshat, të mos marrë më pas se 50 mijë lekë të reja. Është e papranueshme që 10-15 për qind e popullsisë janë hajdutë dhe jetojnë në luks, ndërsa pjesa tjetër jeton në varfëri të tejskajshme.

 Ali Asllani thotë:

Hani, pini dhe rrëmbeni

Mbushni xhepa, mbushni arka

Të pabrekë ju gjeti dreka

Milionerë ju zuri darka

Hani, pini e rrëmbeni

Mbushni arka, mbushni xhepe

Gjersa populli bujar

T’ju përgjigjet lepe, peqe!

 Shpresa duket se, tani për tani, është vetëm reforma në drejtësi. Ajo është shpëtim për Shqipërinë dhe një grusht i fortë kundër pushtetarëve të korruptuar. Koha do ta tregojë se ajo (koha) nuk mund të punojë për maskarenjtë, por kombi është i shqiptarëve!

Doktor i Shkencave, Novruz Zejnati