Një varkë me të paktën 45 refugjatë u përmbys në brigjet e qytetit jemenas të Taizit dje, të mërkurën në mbrëmje dhe ka vetëm katër të mbijetuar, njoftoi sot agjencia e OKB-së për refugjatët në Jemen. Anija u përmbys për shkak të erërave të forta dhe mbingarkesës, tha agjencia.

Asnjë informacion i mëtejshëm nuk është dhënë për refugjatët e tjerë.

Në qershor, të paktën 49 emigrantë vdiqën dhe 140 rezultojnë të zhdukur pasi varka në të cilën ndodheshin, e cila ishte nisur nga Somalia me 260 emigrantë, u përmbys në brigjet e Jemenit.

IOM, e cila mban një listë të migrantëve që vdesin ose zhduken gjatë rrugëve të migrimit, që nga viti 2014 ka regjistruar 1,860 vdekje dhe zhdukje emigrantësh përgjatë rrugës nga Afrika Lindore dhe Briri i Afrikës për në vendet e Gjirit.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 97,000 emigrantë mbërritën në Jemen nga Briri i Afrikës vitin e kaluar.