Edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës “Chamber Fest Durrës” i erdhi fundi. Mbrëmjen e së enjtes, në katedralen “Shën Luçia” u ekzekutua koncerti i fundit. ku protagonistë ishin instrumentistët e talentuar të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.
Pas një viti shkollor, të mbushur plot aktivitete artistike, pjesëmarrja në këtë festival të rëndësishëm ndërkombëtar ishte “qershia mbi tortë” për instrumentistët e rinj të Durrësit që pritet të jenë talentet e ardhshme në fushën e artit. Orkestra interpretoi me mjaft virtuozitet vepra të kompozitorëve Donizetti, Elgar dhe vepra premierë të kompozitorëve sllovenë.
“Keni nxënës shumë të rinj, 16-17 vjeçarë, nga të cilët unë jam surprizuar shumë, përsa i përket cilësive interpretative dhe muzikaliteti që përcjellin”,- thotë për “DurrësLajm” dirigjenti i njohur slloven Marco Ozbic.
“Shkolla “jan Kukuzeli” gjithnjë është qendër e hapur jo vetëm për nxënësit por edhe për komunitetin prandaj sot jemi të kënaqur dhe të gëzuar që sot po e përmbyllim vitin me këtë koncert dinjitoz në “Chamber Fest””,– deklaroi n/drejtoresha e shkollës, Eda Deveja.

Për 8 netë me radhë, Festivali i Muzikës së Dhomës mblodhi në Durrës artistë të talentuar të skenave botërore. Ai tashmë është kthyer në një aktivitet kulturor elitar të muzikës klasike dhe moderne. Natën e fundit, ideuesja dhe drejtoresha artistike e këtij festivali, Nevila Kalaja, ndihet e përmbushur, por edhe e keqardhur.
“Ndihem mirë që gjithçka ka shkuar shumë mirë deri më sot, pasi çdo mbrëmje ka pasur suksesin e saj, ka pasur përgatitjen maksimale profesionale dhe artistike. Dhe po aq mirë sa ndihem për këtë pjesë, sinqerisht ndihem e trishtuar që ky aktivitet mbaroi edhe për këtë vit”.
“Chamber Fest Durrës” është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kalendarin Kulturor të qytetit bregdetar, që prej vitit 2006.
M.B.





