Ditët e para të muajit gusht po shoqërohen me fluks udhëtarësh në portin e Durrësit, pasi shumë nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian kthehen në vendlindje për të kaluar pushimet.

Sipas autoriteteve portuale, fluksi ditor pritet të jetë rreth 6000 udhëtarë, që hyjnë dhe dalin në këtë  pikë pikë kufitare me 5 tragetet e linjës Durrës-Bari, Durrës-Ankona dhe anasjelltas.

Ndërkohë, të shumtë janë shtetasit e huaj që përdorin portin e Durrësit për të mbërritur në Shqipëri për të kaluar pushimet.

“Kemi ardhur për pushime, do të qëndrojmë 20 ditë. Do të shkojmë në veri, por edhe në jug, në lumin Vjosa. Është hera e parë që vi në Shqipëri dhe kam dëgjuar shumë fjalë të mira për vendin tuaj”,– na thotë një shtetas gjerman.

Dy të rinj nga Zvicra sapo kanë përfunduar pushimet e tyre në vendin tonë dhe rrëfejnë eksperiencën e tyre këtu për mikrofonin e “DurrësLajm”.

“Ne shkuam në veri të Shqipërisë, në Shkodër dhe Theth, bëmë hiking”. 

Cfarë mund të na thoni për pushimet në Shqipëri?

“Është e ngjashme me Zvicrën, por është me natyrale. Është shumë e bukur”.      

“Njerëzit janë shumë të dashur, shumë miqësorë. Ishte këndshëm”.

Po çmimet si ishin?

“Ishin më të larta nga ç’e prisnim, sepse mendonim se veriu i Shqipërisë ishte destinacioni më i lirë. por nuk ishte. Gjithsesi është më lirë sesa Zvicra”.

Përgjatë muajit korrik, në portin e Durrësit kanë mbërritur rreth 85 mijë udhëtarë, ndërsa në dalje janë regjistruar 27.041 pasagjerë.

Muaji gusht është çdo vit periudha që regjistron numrin më të lartë të hyrje daljeve në këtë pikë kufitare, pasi përkon me kthimin në atdhe të emigrantëve dhe më pas rikthimin e tyre në vendet e BE.

M.B.