Ndërkohë që vendi ynë “përvëlohet” nga temperaturat e larta, shirat e dendur dhe stuhitë kanë shkaktuar përmbytje në Gjermani dhe Belgjikë.

“Kthesa” drastike e motit në Gjermani vjen pas ditës më të nxehtë të vitit të përjetuar në vend, me temperaturat që arritën deri në 36.5 gradë.

Shërbimet e emergjencës u mobilizuan që të përballeshin me situatën. Në Bavari, shërbimi zjarrfikës u angazhua pasi një tren u përplas me një pemë të rrëzuar.

Në Belgjikë, autoritetet kanë dhënë alarmin ngjyrë portokalli për ardhjen e stuhive në provincat Limburg dhe Liezh, ndërsa në pjesën tjetër të vendit niveli i alarmit mbetet në ngjyrën e verdhë.

Instituti Meteorologjik Mbretëror ka deklaruar se rekordi i shirave të gushtit është thyer dhe se rrugë të shumta janë mbyllur në Bruksel dhe Antverp për shkak të vërshimeve.