Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se policia nuk ka pasur si qëllim fshehjen e ngjarjes së rëndë në Pogradec, ku 42-vjeçari Egli Proga u dhunua për vdekje nga Denis Meçe.
Në një intervistë për një emision televiziv Karamuço u shpreh se kamerat e sigurisë janë në duart e policisë.
Sipas Karamuços, prokuroria ka bërë gafë të rëndë, duke rikualifikuar veprën penale nga “vrasje me dashje”, në vrasje nga pakujdesia”.
“Për mua, nga të gjitha informacionet që kanë ardhur, qoftë në rrugë zyrtare, qoftë nga dëshmi të personave të tjerë, di të them që policia në asnjë moment nuk ka pasur si qëllim fshehjen e kësaj ngjarjeje, për vetë faktin se edhe vetë referimin e ka bërë korrekt. Për mua, nëse do të dalin rrethana dhe fakte të tjera nga ato që do thuhen në dëshmi, do të aplikohet një tjetër vepër penale, jo “vrasje me dashje”, por “shtrëngimi me anë të kanosjes dhe dhunës”, që në rastin e humbjes së jetës së personit, shkon deri në burgim të përjetshëm. Por është shumë shpejt për ta thënë këtë. Ka ende dëshmi kontradiktore që duhen zbardhur nga ana e një e prokurorie, e cila deri tani është me karton të verdhë. Ka bërë një gafë shumë të rëndë, mënyrën sesi e ka ndryshuar, rikualifikuar nga referimi i policisë, veprën penale. Në rastin e parë, është përgënjeshtruar totalisht ajo që u tha, nuk e di pse ka pasur shumë dezinformacion. Kamerat e sigurisë janë të plota në duart të policisë, qoftë të lokalit dhe të marketit, ka parë të gjithë ngjarjen, janë të administruara në dosjen e prokurorisë. Policia ka çuar edhe ekspertë nga Tirana për të parë dhe verifikuar të gjitha pamjet filmike..Nga ana tjetër, policia ka bërë referimin, ka bërë negocimin, sepse autori ka qenë për t’u arratisur. Ai u dorëzua më në fund. Mendoj që policia, me aq sa janë informacionet deri rani, nuk ka bërë ndonjë veprim që të dyshoj, që të shikojë nëse ka arbitraritet apo fshehje të provave”, theksoi ai.