Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë deklaron se ka nisur verifikimet në adresë të gjyqtares dhe prokurorisë së Korçës, që hetuan Denis Meçen, i dyshuar për vrasjen e Eglantin Progës.
Ajo që kërkojnë të zbardhin inspektorët është se si u ndryshua akuza nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.
Ajo që kërkojnë të zbardhin inspektorët është se si u ndryshua akuza nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.
TCH disponon vendimin ku gjyqtarja Luljeta Kole ka pranuar kërkesën e prokurores, për të lënë nën “arrest me burg” Denis Meçen për një vepër tjetër nga ajo që ka referuar Policia e Shtetit.
Në argumentin e saj prokurorja për të cilën Inspektoriati ka kërkuar të dhëna i ka vendosur në dispozicion gjykatës një përgjim ambiental midis dy personave të tjerë të arrestuar për mos kallëzim krimi.
Leonidha Guce dhe Arian Manellari pyesin të shqetësuar njëri tjetrin se si ka mundësi që Eglantini ndërroi jetë nga një grusht. Ky diskutim hedh dyshime sipas prokurores, se ata ndryshe nga çfarë thanë në polici se nuk e kishin parë ngjarjen, në të vërtetë kishin dijeni dhe nuk e kishin kallëzuar krimin.
Gjykata çmon se duhen kryer veprime të tjera hetimore dhe se kjo masë ndaj katër të dyshuarve, tre mos kallëzim krimi dhe Meçe për vrasje nga pakujdesia, duhet plotësuar me konkluzionet e mjekësisë ligjore.
Nga ana tjetër gjykata lë të hapur mundësinë se mund të arrihet në rezultate të ndryshme mbi kualifikimin e veprës nga ai që e ka sjellë prokuroria, mbasi të kryhen disa detyra që nuk bazohen tek dëshmitarët.
Ky dokument do të jetë një nga shkresat që do administrohet nga inspektoriati për sa kohë edhe gjykatës edhe prokurorisë i kërkohet informacion për të disponuar me fashikujt duke nisur nga momenti i referimit, ajo që kërkon të kuptojë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nuk lidhet me kohën kur u kryen veprimet dhe u dorëzua çështja në gjykatë, por se përse u ndryshua vepra penale.