Denis Meçe, duket se ka qenë një person me rrezikshmëri të lartë në një qytet të vogël.

Burime për mediat bëjnë me dije se vrasësi i 42-vjeçarit Egli Proga rezulton të jetë një person me precedent të mëparshëm penal.

Konkretisht për “Shkatërrim prone” “Kanosje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prishje e qetësisë publike”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, Vepra penale të kryera 2014, 2016, 2020 e 2022.

Herën e parë kur ai u ndalua nga blutë ka qenë para 10 vitesh, pikërisht kur ka qenë 19-vjeç, pas një sherri në një lokal buzë liqenit të Ohrit.

Sherri ka ardhur pasi Meçe nuk pranoi të paguante faturën e majme dhe u konfliktua me stafin e lokalit, të cilët më pas e denoncuan për “shkatërrim prone”.

Dy vite më vonë është ndaluar për veprën penale të kanosjes, në 2020 për “Plagosje e lehtë me dashje” dhe në 2022 për “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Egli Proga u vra pasditen e së shtunës nga Denis Meçe, pas një konflikti të çastit midis tyre.

Ngjarja e rëndë, u raportua fillimisht si aksidentale, por më vonë hetimet zbuluan se ai ishte rrahur për vdekje nga Meçe.

29-vjeçari përmes avokatëve të tij ka ofruar 10 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore, që të mos qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve. Ai ka kërkuar falje, por ka sqaruar se nuk ka dashur ta vriste 42 vjeçarin.

Siç rezulton në dosjen e përgatitur nga Prokuroria e Korçës, Denis Meçe ka treguar se ditën e ngjarjes ka qenë në lokal nga ora 15:00 duke pirë. Më pas, rreth orës 18:00 ka ardhur Egli Proga. Pasi janë zënë për cigaren, Meçe ka dalë jashtë, por sipas tij viktima “ka vijuar ta ofendojë”.