Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë deri në 30 shtator të përcaktojë rregulla të qarta se si do të votojnë emigrantët.

Kodi i ri zgjedhor i cili hyri në fuqi më 31 korrik kur u botua në Fletoren Zyrtare, i ka lënë dy muaj kohë Rregullatorit, për të shkruar procedurat e detajuara për votimin nga jashtë.

Pika më e rëndësishme në shkrimin e këtyre rregullave, është se çfarë dokumentesh do t’i pranohen diasporës për të vërtetuar se janë banues në një shtet të huaj.

Kjo më së shumti për t’u dhënë të drejtën e votës atyre emigrantëve të cilët nuk kanë qëndrim të rregullt.

Shqiptarëve mund t’u pranohet vërtetimi i banimit për ata që janë me dokumente, apo vërtetimi i punës për ata që janë me shërbim jashtë vendit, vërtetimi i studimit, apo vërtetime të tjera që provojnë se për arsye shëndetësore apo pune votuesi nuk do të jetë në Shqipëri pranverën e ardhshme.

Rregullatori do t’i miratojë këto akte me të paktën 4 vota pro, duke garantuar kështu edhe pëlqimin e opozitës, e cila e kontrollon vendimmarrjen përmes përfaqësuesve të saj në këtë komision.

Pas qartësimit të rregullave, emigrantët do të regjistrohen online pranë website të KQZ-së, duke plotësuar një formular të caktuar.

Ky regjistrim do të hapet 4 muaj përpara zgjedhjeve, diku në fillim të janarit.

Diaspora do të ketë 60 ditë kohë të regjistrohet, por nuk duhet të harrohet fakti se regjistrimi do të mbyllet 2 muaj përpara datës së zgjedhjeve.

Më pas KQZ do ta dërgojë fletën e votimit me postë tek zgjedhësi, në adresën që ai ka deklaruar jashtë vendit.

Për dërgimin koston e postës e përballon buxheti i shtetit.

Votuesi pasi e plotëson fletën, e dërgon përmes postës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Postën e kthimit e paguan vetë qytetari.

Një pikë e rëndësishme që mund të hapë debat sërish në KQZ, është zgjedhja e postës që do të transportojë votën.

Opozita nuk ka besim tek Posta Shqiptare e kontrolluar nga shteti, pasi dyshon se qeveria mund të manipulojë votat.

Përfshirja e postës private është një mundësi e pranuar nga të gjithë në parim, por rrugës mund të sjellë frikë e paqartësi.